QUINT-i: Shfuqizimi i Speciales i jep fund partneritetit me ne

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 08:16 | Nga

Iniciativa e një grupi të deputetëve, të cilët kanë gjetur përkrahje edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale ka shqetësuar tej mase ambasadat e shteteve të QUINT-it, të cilët përmes një deklarate për medie kanë kërkuar nga liderët dhe nga deputetët të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo rinegociuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Aty në deklaratën e tyre thuhet se janë thellësisht të shqetësuar me përpjekjet e vazhdueshme për ta zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara, si dhe vendimin e presidentit për t’i falur tre të dënuar për vrasje në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Sipas tyre, Dhomat e Specializuara në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për t’i adresuar krimet e kryera në territorin e saj. “Vendet e QUINT-it kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, duke përfshirë këtu edhe kohërat më të vështira.

Që nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve tanë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në zhvillimin tuaj, ne kemi punuar shumë për ta mbështetur vendin tuaj. Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne do të këmbëngulim gjithmonë që Kosova ta mbështesë drejtësinë”, thuhet në deklaratën për medie të shteteve të QUINT-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme