Quinti i shqetësuar me përpjekjet për të shfuqizuar Specialen dhe faljen nga presidenti

Prishtinë | 04 Jan 2018 | 18:44 | Nga

Nëpërmjet një deklarate publike, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Kosovë (të njohura si QUINT) kanë shprehur shqetësimin e thellë me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara, si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”.

“Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në territorin e saj”, thuhet në deklaratën dërguar medieve.

“Vendet e QUINT-it kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira. Që nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve tanë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në zhvillimin tuaj, ne kemi punuar shumë për të mbështetur vendin tuaj. Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne do të këmbëngulim gjithmonë që Kosova të mbështesë drejtësinë”.

“Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. Në të njëjtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”.

Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmoj përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe të vazhdojë të pranojë mbështetjen ndërkombëtare, vazhdon deklarata. “Me ndihmën tonë, Kosova ka shënuar përparim në shtatë vitet e fundit për arsye të përkushtimit të saj për drejtësi ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit në vitin 2015 për të krijuar Dhomat e Specializuara ishte shenjë e qartë se Kosova refuzoi kulturën e mosndëshkimit”.

Nuk kishte asnjë marrëveshje ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe Kosovës lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara, përfundon deklarata e pesë shteteve, që konsiderohet se e kanë ndihmuar më së shumti Kosovën në procesin e çlirimit dhe shtetbërjes.

Të ngjashme