Quni: Kam mbështetje të konsiderueshme në garën për kryetar të LDK-së

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës këtë të dielë do ta mbajë mbledhjen e Kuvendit Zgjedhor, ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë më të vjetër në vend, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare regjistroi rezultatin më të dobët në historinë e saj.

Anton Quni ishte i pari që e shpalli kandidaturën për kryetar të LDK-së. Këtë tha se ua kishte bërë të ditur edhe bashkëpartiakëve në mbledhjen e Kryesisë një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, ku Isa Mustafa i kishte njoftuar ata se s’do të jetë më kryetar, duke marrë një pjesë të përgjegjësisë për humbjen më të madhe në historinë e partisë më të vjetër në vend. Quni tha të martën për Express se paraprakisht ka marrë mbështetje të konsiderueshme në këtë garë nga anëtarët tjerë të partisë.

“Kam pasë biseda me anëtarë të Kryesisë, me delegatë të Kuvendit dhe është një numër i konsiderueshëm i tyre që më mbështesin”, tha Quni.

Krahas tij, të hënën në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së në të cilën mori pjesë edhe Quni, u konfirmuan edhe kandidaturat e Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Në komunikatën zyrtare të LDK-së, përmenden vetëm këta dy të fundit si kandidatë, ndërsa thuhet se “ka edhe kandidatura tjera, që mund paraqiten ditëve në vijim”.

Quni thotë se s’e di pse s’është njoftuar zyrtarisht për kandidaturën e tij, por thotë se ndoshta aty është vendosur të përmendën vetëm kandidaturat që u shpallën të hënën.

“Po, kam qenë në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së LDK-së. Unë kandidaturën time e kam bërë publike në takimin e parakaluar të Kryesisë së ngushtë, e pse nuk është paraqitur dje në komunikatë nuk e di”, tha Quni.

“Nuk kam bërë pyetje për këtë çështje sepse kandidatura ime është bërë publike edhe më herët, nuk është që ka qenë njoftim i ri”, shtoi ai.

Premtimi i parë i Qunit si kandidat për të parin e partisë, ishte se do t’i kthente në LDK Vjosa Osmanin dhe të larguarit e tjerë bashkë me të. Por ai tha se ende nuk ka folur me ushtruesen e detyrës së presidentes, ndonëse është takuar gjatë aktiviteteve politike, si ceremonia e sotme e FSK-së.

“S’jam takuar dhe s’kam biseduar me të, përveç këtyre takimeve siç ishte kjo sot e ceremonisë e zbarkimit të kontigjentit të FSK-së misionin e parë paqësor jashtë vendit”, tha Quni.

Nga brenda partisë e ish-zyrtarë të LDK-së po e akuzojnë Isa Mustafën se do të tentojë t’i dirixhojë zhvillimet më 14 mars me qëllim të zgjedhjes së një kryetari që ai e dëshiron. Për këtë, të enjten ka folur vetë Mustafa, duke kërkuar argumente dhe dëshmi nga ata që po e akuzojnë.

Më 14 mars, 355 delegatë nga 38 degë të LDK-së nga të gjitha komunat do të mblidhen për ta dhënë votën e tyre. Atë ditë do të dihet zyrtarisht kush janë kandidatët për kryetar. Në organin më të lartë të LDK-së, që e përbëjnë 355 delegatë të zgjedhur nga kuvendet e degëve, plus kryetari i subjektit, në këtë rast Isa Mustafa, mund të kalojnë vetëm ato kandidatura që marrin fillimisht aprovimin e delegatëve.

Në mënyrë që të konfirmohet si kandidat për kryetar, secilit prej pretendentëve u duhet t’i marrin 50% plus një të votave të delegatëve.

Të ngjashme