Quni tregon për një bisedë me votuesin e LVV-së në fushatë: Filloi të më bindte

Prishtinë | 24 Jan 2022 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Anton Quni tha se nuk e ka besuar se mund t’i flasë kryeministrit Albin Kurti për çështjet e energjetikës.

Pasi e mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për krizën e rrymës, Quni tha se kryeministrit ka menduar se mund t’i flasë me kompetencë vetëm për çështje të sigurisë.

“Gjithnjë kam menduar se si ushtarak mund të dal të flas para jush me kompetencë për çështjen e sigurisë. Nuk e kam besuar asnjëherë që do të kem nevojë me dalë me folë edhe për çështjet e energjetikës, veçanërisht që kryeministri vjen me profesion nga kjo fushë”, tha ai.

Quni tregoi për një bisedë me një votues të LVV-së në fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare. Ai tha se votuesi ishte i bindur se me Kurtin kryeministër, rryma do të ishte pothuajse falas.

“Ai këmbnguli se njeriu i duhur për Kosovën është Albin Kurti. Kërkova të ma arsyetojë. ‘Ka me e luftu krimin, korrupsionin, liberalizimi i vizave, integrimet, etj, dhe në fund e potencoi, tha ‘thuajse rrymën do ta kemi falas’. Thash nga kjo. Tha po ka premtuar se do të kemi lirim. Ne tani pothuajse e kemi falas, plus kur ta bëjë lirimin kryeministri, sikur ajrin që e konsumojmë, ashtu edhe rrymën”, tha ai.

Quni tha se deri atëherë s’e kishte ditur se cili është profesioni i kryeministrit. Kur e kuptoi, tha se kishte nisur t’i besonte atij votuesi, së paku për çështjen e çmimit të rrymës.

“Me të vërtetë në atë kohë s’e dija se nga cili profesion vjen kryeministri dhe nga ai e kuptova se është inxhinier i elektros dhe për me ju tregu drejt, me qenë i sinqertë me ju, fillova edhe unë me besu së paku për këtë çështjen e fundit”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme