“Nuk ka më për çfarë të dialogohet” – Qytetarët besojnë se në mandatin e Kurtit do ta arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë

Prishtinë | 08 Maj 2022 | 14:03 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të duhej të përfundonte me sukses tash e një kohë.
Pas takimit të e fundit që pati kryeministri i vendit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Berlin të Gjermanisë, qytetarët janë shprehur optimist se do të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Qytetari Fehmi Ismaili i tha Ekonomia Online se koha ka ardhur për të bërë një marrëveshje dhe se për këtë është pajtuar dhe faktori ndërkombëtar me insistimin e SHBA-së.

“Koha ka ardhur për të bërë një marrëveshje. Edhe faktori ndërkombëtar po shihet që është unik më në fund, me insistimin e SHBA-së. Janë duke përgatitur terrenin për marrëveshje. SHBA-ja kanë dhënë sinjale të qarta që nuk mund të diskutohet për kufij e as për dhurime të territorit. Ka thënë qartë që nuk shkelet kushtetuta dhe nuk diskutohet për çështjen e territorit në shtetin e Kosovës. Kosova i ka të gjitha rrugët e hapura”.

Ndërsa qytetari Gëzim Berisha u shpreh se “është mirë të bashkohen pozita dhe opozita, sepse marrëveshja është e krejt Kosovës”, teksa u shpreh optimist se do të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

“Unë mendoj që Albin Kurti ka me arritë marrëveshjen me Serbinë, sepse pothuajse i ka ardhur fundi edhe dialogut. Nuk di ma për çka do të duhet të dialogohet. Mendoj se marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur. Është mirë të bashkohen pozita dhe opozita në një zë, sepse marrëveshja është e krejt Kosovës”.

Edhe qytetari Valon Selimi konsideron se “i ka ardhur fundi kësaj pune” dhe se marrëveshja do të arrihet shumë shpejt.

“Mendoj që i ka ardhur fundi kësaj pune dhe mendoj që Albini ka me arritë marrëveshjen e Kosovës me Serbinë. Pasi që ka shkuar në Gjermani besoj që do të na ndihmojnë edhe shtete të tjera… Besoj që do të na njeh edhe Serbia si shtet”, tha ai.

“BE-ja është duke u munduar për të arritur një marrëveshje, prandaj besoj që do të arrihet një marrëveshje me Serbinë. Është duke bërë presion shumë BE-ja dhe besoj që do të arrihet”, u shpreh qytetari tjetër Fitim Hadergjonaj.

Por, më pak optimist ishte Bekim Zymeri, i cili i tha Ekonomia Online se nuk do të ketë marrëveshje deri në vitin 2025 e as liberalizim të vizave.

“Deri 2025 marrëveshje nuk ka në bazë të planit të cilin e ka bërë OKB-ja… Madje nuk do të ketë madje as liberalizim. Do të vazhdojë të ketë ngecje në nivele të larta, por përfundimisht vitin 2025 do arrihet marrëveshja edhe atë nëse bien dakord Austria, Gjermania dhe Franca”.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ditë më parë ka pritur në një darkë joformale kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Berlin të Gjermanisë.

Kryeministri Kurti pas takimit ishte shprehur agresioni i fundit rus në Ukrainë ka shtuar mosmarrëveshjet midis palëve, por Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e dialogut.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut parimor me Serbinë, për një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë”, ka deklaruar kryeministri kosovar.

Të ngjashme