Raci: Kurti po e konfirmon që është për dialog e marrëveshje me Serbinë

Prishtinë | 24 Gus 2022 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Gazmir Raci, vlerëson se kryeministri i vendit, Albin Kurti, është për dialog me Serbinë.

Raci, në Info Magazine, thotë se Kurti është për dialogun që edhe Amerika dhe BE-ja kanë për, pra që në fokus të marrëveshjes finale të jetë njohja reciproke.

“Zakonisht të dyja palët kanë obligim dhe përgjegjësi të propozojnë temat para ndërmjetësve dhe pastaj bashkërisht në formatin trepalësh vendoset se si do të duket faza në vijim e çfarëdo negociatash. Në këtë rast kryeministri ynë e ka bërë një hap sikurse e bëri edhe në fillim të inkuadrimit të tij në dialog dhe është mirë që Kosova është proaktive në këtë proces”.

“Kosova përfundimisht po i shuan zërat kundërshtues se kinse nuk po merr pjesë në dialog dhe është kundër çfarëdo marrëveshje në dialog. Kryeministri [Albin Kurti] po e dëshmon të kundërtën dhe po rikonfirmon angazhimin e tij që është për dialog, marrëveshje dhe konkretisht ka propozuar fusha që në qendër e kanë njohjen të cilën edhe Amerika edhe Bashkimi Evropian dhe liderët e shteteve anëtare të BE-së e kanë në fokus njohjen si elementi kryesor që duhet të ketë marrëveshja finale”, tha Raci.

Të ngjashme