Rada Trajkoviq gjen rehati në Qeveri pas krahasimeve që ia bënte Kurtit me Millosheviqin

Prishtinë | 02 Dhj 2022 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Pasi Lista Serbe ka vendosur t’i braktisë institucionet e Republikës së Kosovës, pozita e ministrit për Kthim dhe Komunitete që Kurti ia kishte dhënë Goran Rakiqit kishte mbetur e zbrazët. Për të plotësuar një mungesë të tillë në Qeveri, Kurti ka vendosur që të emërojë politikanin serb të Kosovës, Nenad Rashiq. Vetë Rashiq pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën, kishte treguar se do ta marrë Rada Trajkoviqin në pozitën e këshilltares meqë sipas tij ajo ka shumë përvojë dhe është shumë e përgatitur.

Megjithatë ky rehatim i Trajkoviq në ministrinë që tashmë do ta drejtojë Nenad Rashiq, vjen pas një sërë deklaratash të saj kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Madje Trajkoviq kishte shkuar aq larg sa që kishte tërhequr edhe një paralele mes Kurtit dhe Sllobodan Millosheviqit.

Një deklaratë të tillë ajo e kishte bërë për “RTV KIM” kur kishte folur për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për targat ilegale. Trajkoviq në atë intervistë pat thënë që mënyra se si Kurti “po ua mohon të drejtat e komunitetit serb” ia kujton asaj “mënyrën se si Millosheviqi kishte dashur t’i disiplinonte shqiptarët”.

“Tendenca e Albin Kurtit për të sjellë zgjidhje që dënojnë kolektivisht popullin serb në Kosovës dhe Metohi nuk është e drejtë dhe është vazhdimësi që nga ardhja e tij në pushtet. Duke provuar të drejtat e serbëve dhe duke u përplasur me komunitetin serb në këtë mënyrë, më kujton deri diku kohën kur Millosheviqi donte t’i disiplinonte shqiptarët, kështu që mori rrugën e privimit të shqiptarëve nga të drejtat e tyre ndaj Kosovës përmes zgjidhjeve institucionale që ata i pranuan si presion ndaj tyre”, ka thënë Trajkoviq për “RTV Kim” më 30 tetor të këtij viti, raporton Gazeta Express.

Por kjo nuk është e vetmja deklaratë problematike e Rada Trajkoviqit kundër kryeministrit të Kosovës. Ajo kishte reaguar me fjalë të ashpëra ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje edhe kur nga Berlini kishte argumentuar se pse Kosova nuk do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo e kishte quajtur Kurtin një “etnonacionalist të flaktë që preferon flamurin shqiptar ndaj atij të Kosovës” dhe që sipas saj nuk pëlqen parashtesat etnike “sapo serbët e Kosovës kërkojnë që të respektohen të drejtat e tyre kolektive”.

“Kryeministri Kurti – një etnonacionalist i flaktë që preferon flamurin shqiptar ndaj atij të Kosovës – zhvillon një mospëlqim të fortë për çdo parashtesë etnike sapo serbët e Kosovës kërkojnë që të respektohen të drejtat e tyre kolektive”, ka shkruar Trajkoviq në tëitter më 4 nëntor 2022.

Rada Trajkoviq s’kishte ngurruar të fliste keq për Kurtin as në një intervistë për gazetën serbe “Danas”duke thënë se kreu i Qeverisë së Kosovës “ka vite që punon në projektin e privimit të të drejtave të serbëve dhe kjo është diçka që shkakton frikë tek të gjithë serbët në Kosovë”

“ Mund t’ju them se frika është normale te njerëzit. Në njërën anë kemi zotin Kurti, i cili ka vite që punon në projektin e privimit të të drejtave të serbëve dhe kjo është diçka që shkakton frikë tek të gjithë serbët në Kosovë”, kishte thënë Trajkoviq kur ishte pyetur për situatën në prag të skadimit të afatit për targat më 29 tetor 2022.

Trajkoviq si përfaqësuese e serbëve në Kosovë nuk parapëlqehet nga Beogradi. Pasi Rashiq tha se do ta marrë si këshilltare, nga Lista Serbe dhe presidenti serb kanë ardhur akuza të shumta drejt saj.

Të ngjashme