Rajoni në krizë shkaku i retorikës nxitëse të Serbisë, Rohde kërkon të merret shembull Gjermania

Prishtinë | 30 Nën 2021 | 15:49 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ngritja e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të plotë të Kosovës në organizatat dhe nismat e bashkëpunimit rajonal ishte temë diskutimi ndërmjet panelistëve në konferencën e organizuar nga Grupi për Ballkanin, “Kosova në iniciativat rajonale: sfidat dhe mundësitë”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se përfaqësimi në CEFTA nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut, mbetet sfida kryesore e Kosovës në aspektin përfaqësimit në organizatat ndërkombëtare.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se rajoni po përballet me termin luftë, e këtë sipas saj, po e bën Serbia përmes retorikës nxitëse.

“Sot kur po flasim për fqinjësi të mirë, duhet të nënvizohet se rajoni ndodhet në një krizë, e cila duhet zgjidhur shpejt dhe mirë. Asnjëherë që nga vitet e 90-ta, fjala luftë nuk është përdorur kaq shpesh se tani, dhe nuk është përdorur gjitha nxitëse dhe agresive nga institucionet nacionaliste në Serbi”.

“Duhet të merren masa të guximshëm ndaj atyre që nxisin destabilizimin në vend të zgjerimit të vendeve fqinje këtu ne rajon, në mënyrë që të garantohet stabiliteti, paqja por edhe bashkëpunimi i rajonit”. 

Ministrja Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmendi sfidën që Kosova ende përfaqësohet në CEFTA, nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut.

“Anëtarësimi në CEFTA, vazhdon të jetë sfiduese për Kosovën, ku Kosova në CEFTA vazhdon të përfaqësohet në praninë e UNMIK-ut, kjo për faktin se përfaqësuesit e UNMIK-ut, vazhdojnë të jenë palë nënshkruese në CEFTA, e cila është trup vendimmarrës”.

“Për më tepër përfaqësuesit e CEFTA, vazhdojnë të jenë prezent për çfarëdo çështje, madje edhe për shumë çështje teknike sidomos të komunikimit elektronik”, tha ajo. 

Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, tha se vendet e rajonit duhet të marr shembull Gjermaninë me vendet fqinje, të cilat kanë lidhur një raport të shkëlqyer ndërmjet vete.

“Progresi i kësaj konference është rritja e pjesëmarrjes së Kosovës në përfaqësim rajonal dhe për të adresuar barrierat që qëndrojnë në këtë rrugëtim. Dikush që vjen nga Gjermania që angazhohet shumë në aspektin regjional. Zhvillimi rajonal zhvillon besim përmes të cilave ka eksperienca”.

“Vetëm duhet t’i pyesni fqinjët e Gjermanisë nga bashkëpunimi rajonal zhvillohet edhe infrastruktura poashtu edhe çështjet ndërlidhëse me tregun dhe këmbimin e kulturave dhe komunikimin e administratave të vendeve fqinje. Gjermania është e bindur se zhvillimi regjional ia vlen të mbështetet dhe duhet të zhvillohet”, tha ambasadori.

Luljeta Haxholli nga KDI ka pyetur ministren Gërvalla, në lidhje liberalizimin e vizave dhe për sigurimin e njohjeve të reja, raporton EO.

“Jemi vendi i vetëm në rajon që nuk kemi liberalizim të vizave dhe dua të pyes se çfarë jeni duke bërë me vendet skeptike për t’i bindur, dhe a kemi strategji që përveç njohjes reciproke me Serbinë, cila është qasja që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare”.

“Pas përfundimit të moratoriumit, a keni parë lëvizje të Serbisë për ç’njohje dhe a çfarë po ndodh për sigurimin e njohjeve të reja”, ka pyetur ajo.

Ndërsa ministrja Gërvalla , tha se janë në dialog me vendet skeptike për t’i bindur se kosovarët e meritojnë liberalizimin e vizave.

“Në radhë ta parë nuk ka të bëjë me emigracion por me lëvizje të lirë dhe për shkollim. Si Qeveri mund ta bëjmë punën tonë në dy drejtime. E para që të hyjmë në dialog me vendet që janë skeptike dhe të cilat ende refuzojnë progres në këtë drejtim, t’i shohim ku janë shqetësimet e tyre, dhe sa është në dorën tonë t’i shfuqizojmë këto dyshime të tyre”.

“Në rastet konkrete nëse dyshimet e tyre bazohen në ndonjë frikë të emigracionit masiv nga Kosova, dhe atëherë ne i argumentojmë që Kosova në vendet skeptike që Kosova nuk është në top 40 vendet që prodhon emigracion në atë shtet. Pranvera e vitit të ardhshëm mund të sjellë zhvillime të reja, dhe shpresojmë që këto zhvillime të jenë pozitive në kontekstin evropian që përkon edhe liberalizimin e vizave”, tha ajo.

“Sa i përket njohjeve të reja. Si Qeveri e Kosovës jemi përkushtuar që mos të kemi prioritet kryesor një shtim sipërfaqësor të numrit të njohjeve, por të përqendrohemi në peshën që do ta ketë secila prej njohjeve për politikën tonë”, tha Gërvalla.

Ndërkaq Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit për Ballkan, tha se vendi po ballafaqohet me shumë sfida duke filluar nga mosanëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

“Kosova ballafaqohet me shumë sfida, qoftë politike siç është mosanëtarësimi në shumë organizata, megjithatë, Kosova duhet të provojë që t’i tejkalojë këto sfida, për tu vendosur në një stad të rëndësishëm në organizata ndërkombëtare dhe për t’i eliminuar pengesat që na vijnë nga shumë faktorë”.

Të ngjashme