Rajoni po përballet me sfida, ombrella e sigurisë është anëtarësimi në NATO

Prizren | 10 Qer 2019 | 13:56 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Prizren është mbajtur edicioni i 6-të për diplomatët e rinj me temën “Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, raporton Ekonomia Online.

Konferenca është organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe me mbështetje të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung.

Përgjatë katër ditëve të këtij edicioni, para diplomatëve të rinj do ligjërojnë profesorë, diplomatë të huaj, ekspertë të fushave të diplomacisë ekonomike dhe integrimeve evropiane, etj.

Drejtori i Akademisë Diplomatike në MPJ, Beqir Ismajli, tha se sot siguria rajonale përballet me shumë sfida.

“Kemi vlerësuar që ky edicion do të jetë i veçantë nga temat që do trajtohen, por edhe nga pjesëmarrësit të do trajnohen. Sot siguria rajonale përballet me sfida të reja. Siguria globale çdo ku në botë vihet në rrezik”, tha ai.

Drejtori i FES-it, Frank Hantke, shtoi se negocimi i Kosovës me 4 zëra të ndryshëm negociues në bisedimet me Serbinë nuk është për tu lavdëruar.

Ai tha se rezultati i mirëfilltë i politikës ruse, e që Hantke e quajti si joker i Serbisë, është të sjellë trazira në Kosovë.

“Shumica e shteteve nuk po e japin sigurinë që qytetarët e presin. Pyetja e të qenurit anëtarë i BE-së është më i rëndësishëm se sa të qenurit anëtarë i NATO-s pasi që BE-ja nuk ka pasur luftë kurrë, por NATO po. Mos mendoni që dikush në BE është si Nëna Terezë që jep, por nuk merr asgjë. Serbia është lojtari më i fortë në rajon pasi që e ka jokerin më të fortë i cili është Putini. Ju nuk e keni një joker të tillë si e ka Serbia dhe këtu po e akuzoj Be-në dhe ShBA-në që ata nuk po reagojnë për këtë. Rezultati i mirëfilltë i politikës ruse këtu është të sjellë trazira dhe asgjë tjetër. Kosova po negocion me 4 negociator të vetëm, ju po negocioni me 4 zëra të ndryshëm dhe kjo reflekton keq. Bisedimet po bëhen pa transparencë dhe pa zërin e popullit. Kur në Serbi kemi një zë dhe në Kosovë kemi 4, këtu nuk ka demokraci”, tha Hantke.

Ndërsa zv. ministri i Punëve të Jashtme, Çerkin Dukolli, tha se prezenca e NATO-s ka shërbyer si një mundësi e mirë për institucionet e vendit që të ngrisim mekanizmat tonë të sigurisë.

“Në kohën që ne po mbajmë këtë punëtori ne po shënojmë 20-vjetorin e çlirimit dhe për këtë falënderoj çdo qytetarë që në 98-tën dhe 99-tën kanë dhënë kontributin e tyre në forma të ndryshme duke kontribuar në çlirimin e vendit. Aktualisht jemi në 30 ambasada të shtrirë dhe 15 konsulata në botë. Ndërhyrja e NATO-s për parandalimin e gjenocidit serb ndaj popullit të Kosovës kujtoj që shënon një moment kyç në stabilitetin e rajonit”, tha ai, raporton EO.

Zv. ministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, tha se Kosova nuk është ushtarakisht neutrale. Ai shtoi se nëse Ballkani Perëndimor gjen paqe të përhershme ajo do ndodhë vetëm kur të gjitha shtetet e Ballkanit të jenë anëtare të NATO-s.

“Rasti i Kosovës është si tregim që ne nuk duhet të fshehim asgjë dhe kemi mundësi për promovim të fakteve. Kosova e ka të qartë rrugën kah integrimet euroatlantike dhe i kupton sfidat brenda saj. Kosova nuk është ushtarakisht neutrale. Ne i shërbejmë kushtetutës sonë dhe kushtetuta e qartëson që Kosova merr pjesë në sisteme ndërkombëtare të sigurisë. Nëse Ballkani Perëndimor gjen paqe të përhershme ajo do ndodhë vetëm kur të gjitha shtetet e Ballkanit të jenë anëtare të NATO-s. Nuk bëhet FSK ushtri pas 10 vitesh, FSK është ushtri”, tha Ramadani.

Ish-ambasadori Albert Prenkaj, tha se Ombrella e sigurisë për Kosovën është NATO ndërsa sa i përket ombrellës së ekonomisë për Kosovën është BE-ja.

“Fuqitë e buta e destabilizojmë rajonin me qëllimin e vetëm që ta nënvlerësojnë zbatimin e ligjit dhe ta nënvlerësojnë diplomacinë e re.  Çfarë ne duamë të arrijmë është paprekshmëria e dialogut. Të gjithë dëshirojmë të jemi pjesë e BE-së. Ky rajon historikisht dhe gjeografikisht i përket Evropës. Ombrella e sigurisë për ne është NATO ndërsa sa i përket ombrellës së ekonomisë për ne është BE-ja”, tha Prenkaj.

Në këtë edicion po marrin pjesë diplomatë të rinj nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Republika e Çekisë, si dhe nga Senegali e Tajlanda.

Të ngjashme