Rakaliu thotë se ikja e të rinjve është e keqja më e madhe për vendin, propozon rezolutë

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 11:49 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me ikjen e të rinjve nga Kosova.

Fidan Rekaliu nga LDK-ja, iniciator i kësaj seance e quaji të dhimbshëm faktin e ikjes së të rinjve nga Kosova, por jo vetëm të atyre, ai përmendi edhe ikjen e njerëzve profesionistë duke marrë shembull mjekët, raporton Ekonomia Online.

Rekaliu propozoi edhe një rezolutë për mbrojtje të të rinjve.

“Veçanërisht është brengosëse ikja e të rinjve. Krahas problemeve të shumta dhe sfidave që po kalon vendi ikja e tyre është gjëja më e keqe që po i ndodhë Kosovës. Në angazhimet e mia si deputet pjesë kryesore të punës sime është bashkëpunimi me të rinj, me shoqëri civile. Në turin tim të fundit gjatë bashkëbisedimit me të rinj ishte çështja e ikjes së të rinjve në kërkim të një jete më të mirë. I kemi të njohura arsyet pse po ikin nga Kosova, e ajo kryesore është pa perspektiva për një jetë normale. Gjendja e krijuar nga afera e skandale në punësime partiake me të vetmin kriter çelësin familjar e partiak e vret ëndrrën për të qëndruar në Kosovë. Është i dhimbshëm fakti që Kosovën po e braktisin edhe të rinj të shkolluar të cilëve nuk u dha mundësia për ta dëshmuar veten”, tha ai.

“…Po largohen mjekë e inxhinierë, jo pse nuk e kanë të siguruar jetën financiare, por sepse institucionet nuk sigurojnë mbrojtje shëndetësore e as siguri për fëmijët e tyre. Nga statistikat e fundit del se të rinjtë e Kosovës prijnë për të ikur nga vendi. Pavarësisht vrapit për të krahasuar vitet 2014-15, pavarësisht nxjerrjes së statistikave, nga Kosova po largohen qytetarë të moshave të ndryshme. Kosovës po i ikë rinia”, tha Rakaliu.

Ai ka kërkuar që të merren hapa konkretë për punësimin e të rinjve. Rakaliu tha se në punësimet në sektorin publik duhet të heqin dorë nga punësime familjare e partiake.

“Zbrazja e Kosovës është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë vendit. Kërkoj që ta propozojnë një rezolutë unifikuese për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve në Republikën e Kosovës”, tha ai, raporton EO.

Në fillim të kësaj seance, deputeti i ri Rafet Rama bëri betimin si deputet  i ri në PDK.

Të ngjashme