Rakiq: Muri vetëm do të shkurtohet

Prishtinë | 29 Dhj 2016 | 20:33 | Nga

Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, e ka cilësuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për murin në Mitrovicë si “vendim me karakter të pastër politik”.

Në një kumtesë të publikuar, Rakiq tha se më këtë vendim “Prishtina dëshiron të tërheqë vëmendjen e opinionit publik pas paralajmërimeve se serbët e Kosovës do të nisin me vetiniciativë krijimin e Asociacionit të komunave serbe, meqë Prishtina këtë nuk do që ta bëjë, pavarësisht obligimeve të marra me Marrëveshjen në Bruksel”.

“Procesi i revitalizimit të urës kryesore, rrethrrotullimit dhe zonës së këmbësorëve është dakorduar në takimin trepalësh”, thuhet në kumtesën e kryetarit të Mitrovicës së veriut.

Punimet në “ridisenjimin” e murit të ndërtuar në afërsi të urës mbi lumin Ibër, të paralajmëruar nga Rakiq para disa javësh, kanë vazhduar të enjten dhe sipas njoftimit muri do të “shkurtohet” në një lartësi të caktuar.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me shumicën prej 74 votash Rezolutën e paraqitur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Deputetët e Kuvendit, të te gjitha partive politike, kanë kërkuar përmes miratimit të Rezolutës rrënimin e murit që në janar të vitit 2017.

Rezoluta në Kuvendin e Kosovës u paraqit nga shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili tha se “projekt-rezoluta është përkrahur edhe nga grupet tjera parlamentare të Kuvendit të Kosovës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme