Rama: Haradinaj të largohet nga pozicioni opozitar për demarkacionin

Tiranë | 27 Sht 2017 | 12:07 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur me nderime të larta në Tiranë në vizitën e parë zyrtare nga kryeministri Edi Rama.

Haradinaj bashkë me Ramën u takuan në “Pallatin e Brigadave”, ku edhe u bë takimi përurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, nën kryesinë e dy kryeministrave.

Në konferencën për media të dy kryeministrave, Rama ka folur rreth çështjes së Demarkacionit me Malin e zi, raporton Ekonomia Online.

Rama tha se është e domosdoshme që Kosova ta gjejë zgjidhjen rreth kësaj çështjeje. Ai ka kërkoi nga Haradinaj që të largohet nga pozicioni opozitar për demarkacionin me Malin e Zi.

“Ndajmë shqetësimin tonë për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, proces i cili po krijon jo pak probleme me bashkësinë ndërkombëtare, e cila ka qenë dhe mbetet garanti kryesor i Kosovës. Kosova s’ka llogari të humb miq. Interesimi i Kosovës është zgjidhja e këtij problemi që është kthyer në ngërç për rrugën drejt BE-së. Haradinaj të largohet nga pozicioni opozitar, dhe nuk do të doja nga Mustafa që të mos e pranoj këtë marrëveshje që e përkrahte deri dje”.

Edhe Haradinaj ka folur për demarkacionin.  Ai tha se Kosova po procedon në përputhje me rrugullativën përkatëse, sa i përket çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Kosova ka lidhje të mira me Malin e Zi. Qe 20 vjet ata s’janë koritë me Kosovën, dhe ne i kemi përkrahur ata. Demarkacioni është situatë ku Kosova po procedon në përputhje me situatën e re politike. Deri atëherë të gjithë e çojmë një porosi që interesimi është që raportet me Malin e Zi t’i forcojmë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj: Rrugëtimin drejt BE-së do ta bëjmë së bashku me Shqipërinë

Haradinaj tha se Kosova asnjëherë nuk ka qenë e vetme në rrugëtimin e saj shtetndërtues.

“Më vjen mirë për nderin që më bëtë sot që të jemi bashkë edhe një vit në angazhimet e përbashkëta për heroin tonë që na ka bërë çdo herë krenar, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Ne kurrë nuk kemi qenë vetëm në rrugëtimin tonë si Kosovë, pranë e kemi pasur gjithmonë Shqipërinë”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj më tej shoti “jemi shumë të vendosur që rrugëtimin tonë drejt BE-së ta bëjmë së bashku me Shqipërinë”.

Haradinaj theksoi se mirëpresin mbledhjen e të dy qeverive që do të mbahet me 27 nëntor në Korçë, ku shtoi se mirëpret lehtësimin e shumë procedurave për çka u dakorduan me Edi Ramën.

Rama: Të unifikojmë Ambasadat me Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se në mbledhjen e përbashkët të Qeverive, fokus kryesor do të jetë heqja e kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kontrollet do të jenë aq të rralla sa që shumëkujt mund t’i bie që të mos ketë fare kontrolle, siç ndodh në kufijtë e BE-së. Diplomat e studentëve, puna e të rinjve janë vështirësi evidente për të rinjtë në të dy anët e bjeshkëve shqiptare”, tha Rama.

“Kemi një dakordësi të plotë që unifikimi i tregut tonë duhet t’i prijë si model unifikimit të tregut rajonal dhe në kundërshtim të hapur me të gjitha teoritë e konspiracionit për zonën ekonomike rajonale, dua të nënvizoj se Shqipëria dhe Kosova i kanë të gjitha mundësitë që të jenë modele që i paraprijnë shembullit të vet në krijimin e zonës ekonomike rajonale”, tha Rama.

“Porti i Durrësit nuk është vetëm i Shqipërisë zyrtare, por edhe i shqiptarëve të Kosovës, është porti që duhet të kthehet në Doganën e njehsuar të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e padrejtë, e pandershme dhe e paarsyeshme që sipërmarrjet shqiptare që çojnë mall në Kosovë përmes portit të Durrësit kontrollohen dy herë. Këtë kemi rënë dakord ta finalizojmë në mbledhjen e 27 nëntorit”, theksoi kreu i Qeverisë shqiptare.

Çka i tha Rama Vuçiqit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO?

Rama ka thënë se është absurd nga ana e Serbisë të veprojë kështu kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“I kam thënë Vuçiqit, presidentit të tanishëm se nuk po e kuptoj logjikën e kundërshtimit të Kosovës në UNESCO”, ka thënë Rama para mediave.

“Nëse për serbët ka një rëndësi trashëgimia e tyre kulturore në Kosovë, atëherë ata duhet të ishin të parët që do të duhej të vraponin për ta mbrujtur trashëgiminë e tyre se kuptoj, kjo është absurd”.

“Ai e ndjekë në kohë reale jetën politikë në Kosovë dhe Shqipëri, më vonë do të përgjigjet për këto që thamë, nëse kjo nuk ndodh unë jam i bindur se ai është duke reflektuar”.

Rama tha se diplomacia shqiptare do të jetë garant për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

“Shqipëria e ka mbështetur dhe e mbështet me të gjithë fuqinë e vet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, duke qenë qartësisht në anën e Kosovës, në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje realiste dhe të një çlirimi përfundimtar të vetë Serbisë nga makthi i të shkuarës që e mban peng Serbinë në radhë të parë, dhe që e pengon njohjen e Kosovës nga vetë Serbia”, deklaroi kryeministri Rama.

Ndërsa Haradinaj tha se Kosova do të jetë anëtare e vlefshme për UNESCO-n.

“Kosova do të jetë një anëtare e vlefshme për UNESCO-n. Kurdo që do të ndodh Kosova do të fitojë për trashëgiminë kulturore të botës. Nëse mund të ndodh këtë vit kjo është fitore, nëse jo kjo do të ndodh në etapën tjetër”.

Pas takimit me homologun Rama, Haradinaj do të takohet edhe me Presidentin Ilir Meta.

Pasdite do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit Gramos Ruçin si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën.

 

Të ngjashme