Rama në OKB: I detyrohemi me vepra dhe jo me fjalë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe Kosovë

Prishtinë | 03 Qer 2022 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Për herë të parë në histori, Shqipëria mori presidencën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë ngjarje historike, debatin e parë të këtij organizmi e drejtoi vetë kryeministri shqiptar Edi Rama.

Para vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, të cilat përfaqësohen kryesisht nga ambasadorët në OKB, Rama shpalosi dhe prioritetet e presidencës shqiptare, të fokusuara te llogaridhënia dhe drejtësia ndërkombëtare.

“Siç e kemi parë të gjithë, lufta e Rusisë në Ukrainë paraqet një sfidë dhe na e ka përcaktuar edhe më shumë nevojën për të vendosur përpara përgjegjësisë ata që kanë kryer krime lufte. Duhet rivendosur besimi për të ndërtuar sundimin e ligjit dhe një paqe të qëndrueshme. Duhet të forcohen mekanizmat e llogaridhënies, të përcaktojmë të vërtetën për krimet.”

Për të treguar pasojat e mos llogaridhënies, kreu i qeverisë shqiptare mori për shembull krimet e ndodhura në rajonin tonë, ato në Srebrenicës dhe Kosovë.

“Kolegë, na duhet të dëshmojmë vepra dhe jo vetëm fjalë. Na duhet të themi sot më shumë se kurrë “Kurrë më” se i detyrohemi me vepra dhe jo me fjalë mijëra viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, Ruanda dhe Darfur, ua detyrojmë të gjithëve atyre që kanë vuajtur mizori masakra dhe krime kundër njerëzimit. U detyrohemi fytyrave të panumërta të heshtura, të cilat shpesh janë viktima të pafalshme të krimeve seksuale si 20 mijë gratë e dhunuara në mënyrë çnjerëzore gjatë spastrimit etnik në Kosovë në ’98-’99. Shkelësit duhet të mos kenë pjesë e vend në botën tonë, ata duhet të kenë pjesë në vendin e tyre pas hekurave si Millosheviç”, deklaroi kryeministri Rama në OKB.

Debati i kryesuar nga Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-SË, presidencë e cila do të zgjasë deri në fund të muajit qershor.

Të ngjashme