Rama thotë se ia ka shpjeguar idenë e Mini-Shengenit, por Kurti bën sikur s’kupton

Prishtinë | 12 Nën 2019 | 22:46 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrojtur nismën e përbashkët me Zaevin e Vucic për krijimin e një minishengeni ballkanik. Ndërkohë ju ka numëruar politikanëve kosovarë lëshimet dhe premtimet e pa përmbushura. Ai tha se po bëjnë politikë të jashtme me Shqipërinë, për interesa të politikës së brendshme në Kosovë.

Rama tha se ia ka arsyetuar në detaje Albin Kurtit një ide të tillë e tha se ai ka potencialin për ta kuptuar dhe shtoi se po shtiren se nuk e kuptojnë. Por thotë se nëse zgjedh të bëjë sikur nuk e kupton, atëherë është çështje e Kurtit. Ai i këshilloi që kjo nuk është qasje e duhur.

“Ata e dinë mirë se për çfarë bëhet fjalë. E dinë shumë mirë, Albinit ia kam arsyetuar e shpjeguar gjerë e gjatë pse-në e rëndësisë madhore të këtij procesi, e nëse ai nuk e kupton do të çuditesha shumë, sepse është mjaftueshëm inteligjent, nëse bën sikur se kupton apo nuk do ta kuptojë kjo është zgjedhja e tij, por duket si politike e jashtme me Shqipërinë për politika të brendshme. Nuk besoj se kjo është më e mira. Megjithatë do të kemi kohë për t’i diskutuar dhe thelluar diskutimet”, ka thënë Edi Rama.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka dhënë detaje edhe për takimin që planifikohet të mbahet më 21 dhjetor në Durrës, ku ka thënë se do ta ftojë edhe kreun e VV’së, Albin Kurtin, në rast se do të jetë në detyrë. Teksa e shpjegoi se ai do të ftohet ai shtoi se kosovarët ishin gjithmonë e janë munduar që të ulen në atë tavolinë e tani të tërhiqen nuk e sheh të arsyeshme.

“Ai do të jetë i ftuar, nëse do të jetë i betuar dhe do të jetë në detyrë, pa diskutim. Ne kemi qenë më parë edhe në Durrës, dhe kemi qenë së bashku edhe me kryeministrin e Kosovës dhe të Serbisë, dhe nuk mbaj mend që atë kohë Serbia ta ketë njohur Kosovën dhe papritur tërhoqi njohjen dhe tani Kosova do të ikë nga tavolinë. Kosova bëri luftë të ulej në tavolinë. Të ikësh nga tavolina, mbase ka arsye që unë nuk i di, por jam i gatshëm t’i dëgjoj, nëse janë bindëse, jam shumë ok të dakordësohem. Por më duket politikë e jashtme me Shqipërinë, për punë të brendshme në Kosovë”, ka shtuar tutje Rama.

Kryetari i Qeverisë shqiptare gjithashtu ka folur edhe për deklaratën e Albin Kurtit për hapjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa pajtimin e Serbisë dhe vë në dyshim logjikën e idesë dhe pajtueshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nëse Kurti dëshiron hapje të kufijve, atëherë duhet pajtuar me gjithë shtetet. Si e heq kufirin Albin Kurti, nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi, apo do hapi luftë. Dhe kush, SHBA’, BE apo Kuba do japin pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët, do të ishte një marrëzi”, ka potencuar Edi Rama.

Faktet janë të domosdoshme tha Rama e mezi përmbahej në kritikën e tij edhe për ish-kryeministrin Isa Mustafa dhe Ramush Haradinajn, duke thënë se e kanë lënë pas dore marrëveshjen për bashkim doganor Kosovë-Shqipëri, duke porositur kështu Albin Kurtin që të hap dosjet e marrëveshje të arritura për të parë se ku është puna.

“Të gjitha pikat që kemi ne në këtë nismë, janë pika që duhet të ishin bërë me Kosovën, përveç kësaj të lëvizjes së lirë që tani është e mundur. Pse nuk është bërë, le të hap letrat Albini. Le të fillojë nga bashkimi doganor që Shqipëria e miratoi, dhe në momentin e fundit, pala kosovare tha jo, në qeverinë e Isa Mustafës. Erdhi Haradinaj që këtë do ta bëjmë të parën, e më pas tha shiko kështu është puna, do ta bëjmë më vonë. Faktet janë të domosdoshme kur bëhesh kryeministër”, shton Rama.

Si kundërpërgjigje për atë se do të duhej të konsultohej me Kosovën përpara Serbisë, Rama është i mendimit se ky është një standard i dyfishtë e ai nuk e përmend dhe nuk e ka përmendur deri tani.

“Unë nuk jam pyetur për vendosjen e tarifës, as nuk kam thënë pse s’më keni pyetur, por e kam mbështetur fuqimisht, por e kam mbështetur si veprim që duhet të prodhonte rezultat politik, dhe jo si tarifë ekonomike. E kam thënë se është qasje brutale për të gjithë ata që e shohin se tarifë ekonomike. Kur erdhi puna që tarifa u kthye në mjet të politikës së brendshme, e dërgoj Kosovën deri në mospërfillje nga partnerët strategjik, e kur nuk u përdor si mekanizëm kur i erdhi momenti, për të hequr vizat. Normalisht që kjo u kthye në një litar në këmbët e Kosovës” ka shtuar ndër të tjera kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Përveç tjerash Rama ka thënë se në nismën për minishengen është shtuar vetëm lëvizja e lirë e njerëzve, gjë për të cilën thotë se ka bërë një luftë të madhe për t’a bindur Vucic, ndërsa thotë se për gjërat tjera kryeministrat e Kosovës në pesë vitet e fundit kanë qenë dakord. Ai ishte këmbëngulës në qëndrimin e tij se nëse vijnë me arsyetime të duhura ai do t’i qëndrojë marrëveshjes për shengenin.

“Sa i përket konsultimit, në pesë vjet rresht Kosova ka qenë e pranishme në tryezë. Kryeministrat dhe presidenti i Kosovës janë shprehur dakord me gjithçka që sot ne duam të implementojmë, të konkretizojmë, jo për veten por për njerëzit tanë. Besoj që nëse ka vend për fjalën konsult këtu, konsultohet ai merr përsipër ose vendos të mos vijë, jo ai që do shkojë. Nëse në moment të caktuar dikush thotë se nuk do të shkojë, dhe nëse arsyet janë bindëse, jo’ja bëhet e përbashkët, nëse jo, atëherë ai që thotë ‘jo’ja rrin me ‘jo’, ai që thotë po, vazhdon me po’në.”, është shprehur Rama.

Të ngjashme