Rama: VV-ja nuk do ta ndërrojë listën

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Alim Rama, është i bindur se të gjithë kandidatët e kësaj partie në listë janë në pajtueshmëri me ligjin dhe se të gjithë do të jenë kandidatë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Rama në Express Intervistën në KTV, tha se pas refuzimit të sotëm të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të udhëzuar KQZ-në të certifikojë si të plotë listën e VV-së, tha se do të ankohen në shkallën e fundit, në Gjykatën Supreme.

Ai po ashtu, akuzoi kryesuesen e KQZ-së, Valdete Daka, që sipas tij, po vepron sikur ky institucion të jetë pronë e saj dhe më qëllimin për të penguar liderin e VV-së Albin Kurti dhe për të diskredituar procesin zgjedhor.

Rama tha se pavarësisht, vendimit të Supremes, VV-ja nuk do të ndryshojë listën dhe do të garojë edhe me pesë kandidatët, që tash për tash nuk janë certifikuar

Ai ka drejtuar një sërë akuzash në adresë të Dakës.

“VV-ja nuk do të ndryshojë listën. Këshilli i Përgjithshëm i VV-së ka vendosur që Albin Kurti të jetë bartës i listës dhe kështu do të jetë, pavarësisht vendimit të shkallës së fundit. Gjithsesi në shpresojmë që Supremja do të vendosë në favor të VV-së dhe të hedh poshtë vendimin paushall të KQZ-së, sikur që ka bërë edhe më herët me rastin e deputetit Zafir Berisha”, ka thënë Rama.

Në listën e VV-së janë pesë kandidatë, për të cilët KQZ-ja ka marrë njoftim nga KGJK-ja se nuk përmbushin kushtet për të qenë kandidatë në zgjedhje, sipas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses. Në këtë pesëshe është lideri i VV-së, Albin Kurti, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend dhe për çka është dënuar me kusht, si dhe Labinot Demi-Murtezi, për shkelje në trafik.

Ai ka akuzuar kryesuesen e KQZ-së, Dakën, se është bërë palë me partitë rivale të VV-së, LDK e PDK.

“Ajo në një mënyrë po bashkëpunon me kolegët e mi nga LDK-ja e PDK-ja. Ajo duhet të jetë e paanshme në proceset politike, është vendim politikisht dashakeq dhe ka për qëllim të diskreditojë procesin zgjedhor. E gjitha që është bërë ka vetëm një qëllim, të pengohet Albin Kurti, pasi fituesi dihet, të gjithë të tjerët janë dëm kolateral”, tha Rama.

Ai akuzoi edhe PZAP-në për vendimin e sotëm, që nuk i dha të drejtë VV-së. Tha se për herë të parë ka parë që ligji të jetë mbi Kushtetutën.

“Ky është vendim absurd, por e pash sot te PZAP-ja”, tha ai.

Rama ka akuzuar Dakën edhe se PZAP-së i ka shkruar letër vetë për këtë çështje, e sipas tij, duhej të përgatitej nga Zyra për Certifikim, të votohej në KQZ dhe më pas e firmosur nga Daka të nisej për PZAP.

“Por, ajo e ka shkruar vetë letrën, KQZ-në e llogarit pronë private. Njëjtë ka ndodhur edhe me zgjedhjet në Podujevë. Në vendimin e Presidencës për shtyrje të zgjedhjeve thuhej se është marrë bazuar në kërkesën e KQZ-së, ndërkohë ne si KQZ nuk i kishim nisur letër. Tri ditë më vonë, u pa se ajo i ka nisur kërkesë presidentit privatisht”, shtoi Rama.

Ai foli edhe për mundësinë, sipas tij, hipotetike, që edhe Supremja të refuzojë listën e VV-së. Tha se lista nuk do të ndërrojë dhe se VV-ja nuk do të humbasë asnjë votë.

“Lista do të jetë ashtu siç është. Votat që shkojnë për kandidatët e pacertifikuar, do të numërohen vetëm si vota për subjektin. Votat për kandidatët nuk determinojnë në votat e subjektit. Votat për kandidatë, janë vetëm për radhitje të brendshme”, tha ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme