Ramadani: Zgjedhjet e parakohshme qetësojnë situatën

Prishtinë | 10 Maj 2017 | 08:11 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zgjedhjet e parakohshme do të mund t’i reduktonin tensionet dhe revoltën qytetare që është krijuar në ditëve të fundit në Kosovë.

Kështu ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online, njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Burim Ramadani.

“Normalisht që pas kësaj periudhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zvogëlohet respektivisht të reduktohet tensioni dhe revolta qytetare dhe normalisht që zgjedhjet e parakohshme besoj se do të ishin ç’tensionuese të situatës në përgjithësi. Sepse vullneti i qytetarëve në forma të ndryshme është duke u treguar se ka nevojë për një zgjidhje tjetër”, ka thënë ai.

Ramadani ka deklaruar se pavarësisht zhvillimeve që mund të ndodhin me demarkacionin, ato nuk mund të përjashtohen.

“Jemi në ato momentet ose urat kur ka zhvillime të ndryshme dhe vështirë të analizueshme sidoqoftë edhe nëse kalon demarkacioni edhe nëse nuk kalon demarkacioni zgjedhjet e parakohshme nuk duhet përjashtuar sepse në secilën variant niveli i revoltimit do të jetë po ashtu i lartë dhe edhe nëse deputetët votojnë pro ose nëse votojnë kundër këtij versioni të demarkacionit hapi tjetër besoj se për aspektin e sigurisë dhe ç’tensionimit të situatës politike do të duhej të ishin zgjedhjet e parakohshme”, ka pohuar Ramadani.

Kurse sa i përket asaj se cilën parti në pushtet e sheh më këmbëngulëse në kërkimin e zgjedhjeve, ai ka thënë se padyshim është PDK-ja ajo e cila po kërkon zgjedhje në këtë kohë.

“Është e qartë, të paktën prej asaj që shihet në publik se partia më madhe në koalicion tash për tash PDK-ja, ka synim që zgjedhjet t’i mbajë para pushimeve verore ndërkaq partneri tjetër LDK-ja , ka synim që këto t’i mbajë të paktën jo më herët se në vjeshtë pra që të bëhen bashkë me zgjedhjet lokale”, ka thënë ai.

Mirëpo nuk ka lënë pa kritikuar të dy partitë në pushtet duke thënë se asnjëra nuk e ka për qëllim të mirën e qytetarëve.

“Unë nuk besoj se as njëra e a tjetra kanë synim të vërtetë qytetarin , kanë pasur obligimet dhe synimet e veta partiake kryesisht, porse zgjedhjet e parakohshme besoj se do ta ulin tensionin dhe energjinë negative që është mbledhur për më shumë se dy vite e gjysmë, pra nëse zgjedhjet ndodhin energjia negative që është mbledhur te masa mund të fokusohet te zgjedhjet mirëpo as zgjedhjet nuk është se do t’i zgjidhin të gjitha problemet sepse problemet e njëjta do të vazhdojnë edhe në ditën e parë pas zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Të ngjashme