Ramiz Kelmendi propozon zgjedhje të reja

Prishtinë | 13 Gus 2017 | 15:17 | Nga

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ramiz Kelmendi, vlerëson se pas situatës së krijuar, më mirë do të ishte të shkohet në zgjedhje të reja në mënyrë që të mos prishen me tepër raportet e liderëve partiakë.

“Më mirë është të gjendet një rrugë e shkuarjes në zgjedhje të reja në mënyrë që mos të prishen edhe më tepër raportet e liderëve politikë por duke e parë se nuk ka fitues absolut në zgjedhje dhe nevoja e krijimit të koalicioneve paszgjedhore është e domosdoshme, nga kjo nxjerrim mësim politik se nuk duhet të vendosen vija të kuqe publike të cilat pastaj janë pengesë për shtyrjen e proceseve shtetërore përpara”, ka shkruar Kelmendi në profilin e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Ramiz Kelmendit:

Konstituimi i institucioneve të Republikës së Kosovës duhet të bëhet në bazë të parimeve kushtetuese dhe ligjore. Fituesi i zgjedhjeve PAN ka 39 deputetë në Parlamentin e Kosovës. Për të zgjedhur; 1. Kryetarin e Kuvendit së pari koalicioni fitues duhet të propozojë kryetarin nga radhët e partisë më të madhe në koalicion e që është PDK-ja. 2. Për tu votuar kryetari i Kuvendit nevojiten të jenë 61 deputetë në sallë. 3.

Për tu zgjedhur kryetari i Kuvendit nevojiten 61 deputetë. PAN-i ka vetëm 39 deputetë, 20 janë nga pakicat dhe Lista Serbe, pra gjithsej janë 59, dhe mungojnë 2 vota të deputetëve.

Nga kjo gjendje PAN-i tenton të kontrabandojë se paku edhe 2 deputetë të partive dhe koalicioneve tjera, të cilët ishin në listat e deputetëve garues gjatë fushatës, dhe u angazhuan për ta bërë fitues partinë ose koalicionin dhe tani kërkohet nga këta deputetë që ta mbështesin për një sekuencë partinë tjetër. Çfarë kërkesa për joshje, shantazhe juridike, ekonomike politike, mitdhënie apo patriotizëm të vonuar. Por të gjitha këto sot ndodhin sikur në “bashqe të babes” edhe pse janë jo kushtetuese, jo ligjore dhe jonjerëzore.

E njëjta dukuri është shqetësues kur edhe mbështetet nga mediet dhe shoqëritë civile të shumta si dhe institucione të ndryshme pa u vërejtur fare. Dy vota mungojnë edhe për kryetarin, dy vota mungojnë edhe për unitetin e koalicionit PAN. Si të tilla këto fillojnë të mundësojnë krijimin e një qeverie të brishtë me shumë koalicione dhe shumë obligime të reja të krijuara nga premtimet joshëse, të cilat bëhen me një kaçamak kërkesash.

Çdo deputet është ndikues në vazhdimin e punës se koalicionit duke kërkuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra dhe këto të gjitha do paguhen nga AAK-PDK ku çdo njëri nga këta do kërkojë favore tenderësh dhe punësimesh, duke ndikuar në rritjen e krimit dhe korrupsionit dhe duke ndikuar në reputacionin e shtetit.

Më mirë është të gjendet një rrugë e shkuarjes në zgjedhje të reja në mënyrë që mos të prishen edhe më tepër raportet e liderëve politik por duke e parë se nuk ka fitues absolut në zgjedhje dhe nevoja e krijimit të koalicioneve paszgjedhore është e domosdoshme, nga kjo nxjerrim mësim politik se nuk duhet të vendosen vija të kuqe publike të cilat pastaj janë pengesë për shtyrjen e proceseve shtetërore përpara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme