Raporti i KE-së për Kosovën, nuk përmendet heqja e vizave, kritikohet rritja e numrit të zv. ministrave

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Evropian ka publikuar sot raportin për Kosovën për vitin 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në raportin e tij për Kosovën, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka shënuar progres në zbatimin e disa reformave kryesore të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e sundimit të ligjit dhe administratës publike.

Në raport përmendet edhe numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj.

“Rritja e tepruar e qeverisë, duke përfshirë rritjen e mëtejshme të numrit të zëvendësministrave, ka vazhduar të ndikojë në kredibilitetin dhe efektivitetin e saj”, thuhet në raportin e KE-së.

Raporti thekson se situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfiduese.

“Sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme. Janë arritur disa përparime pas miratimit të Ligjit për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe Ligjit për Ndërmjetësim dhe avancimi i sistemit elektronik i menaxhimit të rasteve. Gjyqësori ende është i prekshëm ndaj ndikimeve politike”, thuhet në raport.

Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi, në raport thuhet e ka ende punë për tu bërë në këtë aspekt duke përmendur vendosjen e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

“Sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal , Kosova vazhdoi të merrte pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Megjithatë, vendimi i Kosovës për të vendosur një tarifë prej 100% në importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka dëmtuar përpjekjet e bashkëpunimit rajonal. Sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë , Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, qeveria e Kosovës duhet të revokojë tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina”.

” Kosova duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme të konsiderueshme për të krijuar një mjedis të favorshëm për përfundimin e një marrëveshjeje ligjore me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, theksohet në raport “.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme