Raporti i Progresit: Kosova ta themelojë Asociacionin, marrëveshja finale me Serbinë është urgjente

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë përparim në dialog, konstaton Komisioni Evropian në Raportin e Progresit 2021 për Kosovën. Në këtë raport, Kosovës i përmendet se duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ta arrijë një marrëveshje finale me Serbinë, e cila përshkruhet si urgjente, raporton Gazeta Express.

Raporti përmend se përparimi fillestar në dialog ishte bërë në vitin 2020, kur palët u dakorduan për ta zgjidhur çështjen e personave të zhdukur dhe të zhvendosur, për të bashkëpunuar ekonomikisht dhe për ta trajtuar çështjen e pretendimeve pronësore e financiare.

Në raportin e këtij viti, Komisioni Evropian inkurajon Qeverinë e Kosovës që të angazhohet në procesin e dialogut dhe t’i rinis negociatat për ta arritur marrëveshjen finale me Serbinë.

“Gjatë periudhës raportuese, nuk është arritur përparim i mëtejshëm në negociatat mbi marrëveshjen e normalizimit gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese. Përparimi fillestar në marrëveshje ishte bërë në vitin 2020, kur palët ranë dakord t’i zgjidhin përkohësisht çështjet e personave të zhdukur, personave të zhvendosur, për bashkëpunimin ekonomik dhe fillimin e negociatave për pretendimet pronësore dhe financiare. Qeveria e re e Kosovës inkurajohet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe t’i rinis negociatat për marrëveshjen e normalizimit gjithëpërfshirës”, thuhet në raport.

Tutje, përmendet edhe marrëveshja e fundit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të automjeteve, duke nënvizuar se “BE-ja pret që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive në këtë proces për ta siguruar lirinë e lëvizjes për qytetarët.”

Komisioni Evropian ia kujton Kosovës se duhet t’i zbatojë në plotëni marrëveshjet e nënshkruara më parë me Serbinë, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këtë të fundit, KE-ja vlerëson se s’është bërë asnjë përparim.

“Kur bëhet fjalë për gjendjen e në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara: Gjatë periudhës raportuese, dispozitat e marrëveshjes nuk janë respektuar nga Kosova në një rast; Gjatë periudhës raportuese, nuk ka pasur progres të mëtejshëm në zbatim të Marrëveshjeve të 25 gushtit 2015. Asnjë përparim nuk është bërë në lidhje me Asociacioni/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe Kosovës ende nuk është angazhuar në mënyrë konstruktive në krijimin e tij”, theksohet në Raportin e Progresit.

Komisioni Evropian përmend edhe marrëveshjet e dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë gjatë periudhës 2011-2012, të cilat ende nuk kanë gjetur zbatim nga palët. Kosova dhe Serbia thirren t’i zbatojnë ato marrëveshje.

“Sa i përket marrëveshjeve të dialogut teknik (2011-2012), disa nuk janë ose vetëm pjesërisht duke u zbatuar. Të dyja palët duhet të qëndrojnë të angazhuara për ta vazhduar zbatimin e marrëveshjes për përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale. Zbatimi i njohjes së diplomave kadastrale dhe universitare është ende në pritje”, thuhet ndër tjerash në raport.

Në fund, Kosova kritrikohet tërthorazi për çështjen e vizitave të zyrtarëve serbë si dhe për “veprimet e njëanshme”.

“Kosova duhet të respektojë rregullisht aranzhimet për vizitat zyrtare. Në përgjithësi, Kosova ka mbetur e angazhuar në dialog. Megjithatë, Qeveria e Kosovësduhet të respektojë angazhimet e saj të mëparshme dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të kaluara… Duke ecur përpara, Kosova gjithashtu duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për t’u përmbajtur nga çdo veprim i njëanshëm dhe kontributi në një mjedis të favorshëm për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit dhe ligjërisht të detyrueshme me Serbinë, përfshirë në të marrëdhëniet ndërkombetare”, thekson raporti.

Komisionerët evropianë, siç thonë në këtë raport, presin që “Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive në negociatat për marrëveshjen e normalizimit ligjërisht detyruese në periudhën e ardhshme në mënyrë që të bëhet progres i shpejtë dhe konkret.”

“Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në fund të raportit në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Të ngjashme