Rashiti: BE-ja ka vështirësuar edhe më tutje procesin e dialogut, shpresat te ShBA-ja

Prishtinë | 04 Nën 2019 | 09:00 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ende pa u krijuar qeveria e re kanë nisur presionet për fillimin e dialogut me Serbinë.

Vizita e të dërguarit të presidentit Trump, Richard Grenell, por edhe vizita e përfaqësuesit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, janë shenja sinjalizuese për qeverinë Kurti.

Por njohës të rrethanave politike në vend po vlerësojnë se Albin Kurti, por edhe Vjosa Osmani nuk e kanë në prioritet dialogun me Serbinë.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Ballkans Group” në Prishtinë, Naim Rashiti, thotë për EkonomiaOnline se VV-ja dhe LDK-ja i fituan zgjedhjet për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes, por jo me agjendën e dialogut.

“Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet për të ndryshuar qeverisjen dhe më së paku ka fituar me agjendën e çështjes së dialogut me Serbinë. Së bashku me LDK-në kanë fituar një mandat dhe po bëjnë përpjekje për një qeveri që ka ose pritje e shqiptarëve janë që të dyshojnë rrënjësisht mënyrën e qeverisjes në Kosovë, ndaljen e nepotizmit rritjen e shërbimeve, ndaljen e korrupsionit, ristrukturimin e agjencive të pavarura. Çështja e dialogut mbetet çështje komplekse edhe më shumë se sa mandatet e kaluara, është temë e vështirë edhe për këto dy parti të cilat po bëjnë përpjekje të bëjnë qeverinë”, thotë ai.

Rashiti thotë se qysh në javën e parë të funksionimit, qeveria Kurti do të has në presion të ShBA-së, e cila tashmë ka emëruar dy emisarë për të përshpejtuar procesin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

“Të dyja nuk kanë ambicie dhe me dëshirë nuk do ta bënin dialogun në këtë fazë dhe nuk e besoj që do të jenë shumë entuziaste në çështjen e dialogut për shkak edhe të qëndrimeve që kanë në raport me dialogun procesin e deritashëm, por për shkak edhe të ideve të ndryshme për të gjetur një zgjidhje. Që në javën e parë do të hasin në kundërshti dhe në një lloj jo-mirëkuptimi me ShBA-të të cilat tanimë kanë emëruar dy emisarë për këtë çështje”, thotë ai.

Por për dallim të angazhimit të madh të ShBA-së, Rushiti thotë se roli i BE-së në Ballkan po zbehet.

Argument për këtë thotë se është vendimi i fundit i BE-së për mosfillimin e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, e i cili do të ndikojë negativisht edhe në raportet Kosovë-Serbi.

Sipas tij, procesi i dialogut tashmë është në një pozitë edhe më të vështirë.

“Për procesin e dialogut i kemi 2-3 vështirësi të mëdha. Fondamentale është vullneti i Serbisë për një marrëveshje, sepse nuk varet vetëm nga Kosova. 2 është gatishmëria e Kosovës se a është e gatshme për kompromis dhe 3 është BE-ja, në vendimin e fundit ndikimi i BE-së në Serbi dhe në Ballkan do të jetë shumë më i vogël se sa ka qenë më herët, por edhe më herët kur samiti i Berlinit dhe i Parisit dështoi për t’i afruar palët në tavolinë”, thotë ai.

Rashiti nuk pret as nga kreu i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, se do të arrijë të ulë në tavolinën e bisedimeve Prishtinën dhe Beogradin.

“Do ta ketë shumë vështirë z.Borrel të bëjë diçka të tillë dhe ai ndoshta as nuk do të veprojë që t’i sjellë palët në tavolinë, por ai as nuk do të provojë që në nivelin më të lartë si sjellë palët në tavolinë. Por përmes një të dërguari special t’i kthehet dialogut fillestar aty ku ka mbet në 2015-ën dhe e treta ka të bëjë me koordinimin ndërkombëtar, ShBA-ja e ka një përcaktim se a do të arrijë të koordinohet me BE-në dhe Gjermaninë e Francën për një agjendë të përshpejtuar të dialogut, besoj që gjithë këta faktorë do të ndikojnë se si do të duket procesi në muajt e ardhshëm”, thotë ai.

E mos arritja e një marrëveshje me Serbinë, Rushiti thotë se po i kushton Kosovës me izolim, pasi që ka mbetur jashtë mekanizmave më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

“Situata është më e komplikuar se sa që duket, Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe si e tillë do të ketë hezitime për investime dhe Kosova nuk ka rrugë fare të hapur drejt integrimeve evropiane, këtu varemi nga përmbyllja e çështjes me Serbinë, zgjidhja e konfliktit dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB, me gjithë elementet e tjera të kërkim faljes të dënimeve, dëmshpërblimeve dhe kështu me radhë. Kosova ka pasur hapësirë dhe ka hapësirë që krahas dialogut paralelisht të punojë në qeverisje më të mirë dhe këtu ka qenë dështimi, tek qeverisja e vendit dhe është ende dështimi dhe funksionalizmi i administratës tek gjyqësori, tenderimi e shëndetësia e kështu me radhë, ka pas hapësirë më shumë të bëhet”, thotë ai.

Përveç situatës jo të favorshme në BE, Rushiti thotë se përkeqësimi të gjendjes po i kontribuojnë edhe liderët institucionalë të Kosovës.

Ai kërkon nga Kurti që “të relaksojë” raportet me Presidentin dhe liderët opozitarë, në të kundërtën paralajmëron ngecje në funksionimin e plotë të institucioneve më të rëndësishme të vendit.

 “Është një test i vërtetë për Albin Kurtin, Kurti ka obligim por edhe presidenti që të krijojë një frymë të re, përndryshe Kurti do të mbetet i atakuar për mënyrën e qeverisjes. Nuk mund ti ruajë konfliktet, tensionet, inatet, sepse në vend të presidentit Thaçi në moment të caktuar do jetë dikush tjetër.  Do të jetë test i vërtetë nëse dështojnë, pra edhe dështimi i Kosovës do të vazhdojë, në veçanti e kanë dërmuar imazhin e Kosovës”, thotë ai.

Të ngjashme