Rasti i Martin Berishajt shkon në Prokurori, Anti-Korrupsioni dorëzon kallëzim ndaj ambasadorit kosovar

Prishtinë | 17 Gus 2022 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një skandal financiar përmes kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi.

Kallëzimi penal është ngritur lidhur me mos-deklarimin në Agjencinë Kundër Korrupsion të  kompanisë që Berishaj e posedon në Mal të Zi, kanë konfirmuar për Nacionale nga AKK.

Në maj të këtij viti, u raportua se dy milionë Euro kanë hyrë në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

Ndonëse u themelua nga gjysma e dhjetorit të vitit 2016, biznesi në Mal të Zi i ambasadorit të Kosovës në Kroaci në të njëjtin vit rezulton se ka qarkulluar rreth 100 mijë Euro të hyra, derisa viti më i begatshëm për “MB Consulting” me Martin Berishajn të vetmin pronar dhe të vetmin të punësuar, rezulton të jetë viti 2017 kur biznesi i tij regjistroi rreth 1 milionë Euro të hyra.

Që kur fillimisht, mediumi slloven “TV Planet” raportoi për dyshimet ndaj tij, përkundër se afera mori vëmendje shumë të madhe, Martin Berishaj, ka folur vetëm një herë, ku ka thënë se “Shpifjet nuk kalojnë!”.

Sipas reagimit të atëhershëm të ambasadorit të Kosovës në Kroaci gjithçka çfarë kanë transmetuar televizioni slloven dhe më pas mediat në Kosovë është për fushatë parazgjedhore në Slloveni, meqë në ditën kur e bëri reagimin nuk ishin zhvilluar ende ato.

Të ngjashme