Rasti Thaçi dhe të tjerët, gjyqtari do të kërkojë të informohet nga ZPS nëse mund të përfundojnë hetimet deri më 6 maj

Prishtinë | 21 Mar 2022 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Në konferencën e 11-të për ecurinë e çështjes në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e paraparë që të mbahet më 24 mars, gjyqtari do të kërkojë nga prokuroria ta njoftojë nëse mund të përfundojnë hetimet deri me 6 maj.

Gjatë kësaj konference, do të diskutohet për zbulimin e provave, përkthimet, hetimet e prokurorisë e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nëse ZPS mund të sigurojë një përditësim të mëtejshëm mbi datën e parashikuar të përfundimit të hapave të pazgjidhura hetimore, duke përfshirë nëse hetimet mund të përfundojnë deri më 6 maj 2022”, thuhet në vendim, ku theksohet se do të diskutohet në vendimin e gjyqtarit paraprak.

Gjithashtu në këtë konferencë do të diskutohet edhe lidhur me propozimet për thjeshtimin e procedurës në këtë çështje.

“Nëse palët do të ishin në gjendje deri në konferencën e dymbëdhjetë të statusit për të zhvilluar diskutime inter partes ndërmjet palëve dhe/ose për të paraqitur propozime me shkrim për të thjeshtuar procedurat e gjykimit që do të përfshihen në dokumentin e dorëzimit të parashikuar sipas rregullit 98(e) të Rregullave, duke përfshirë afatet kohore për paraqitjen e çështjeve të palëve dhe/ose për marrjen në pyetje të dëshmitarëve, kufizimet në numrin e dëshmitarëve, dhe përdorimin e provave me shkrim dhe propozimet e tabelave”, thuhet në vendim.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Të ngjashme