Reagim nga LDK-ja, ndaj zhvendosjes së MKRS-së dhe MBPZhR-së

Prishtinë | 07 Nën 2019 | 08:31 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshton vendimin për zhvendosjen e zyrtarëve të MKRS-së dhe MBPZHR-së nga objekti i tyre pa u siguruar fillimisht një objekt tjetër në pronësi të Qeverisë, apo ndërtimin e një objekti të ri.

Mbi të gjitha, ky vendim është edhe më i paarsyeshëm që po ndërmerret në kohën e tranzicionit nga një qeveri në tjetrën, pa planifikim të mirëfilltë paraprak operativ e financiar që po rezulton në një kosto enorme për qytetarët e Kosovës prej 105 mijë euro qira mujore për dy objekte në pronësi private.

Njëkohësisht, është e papranueshme që e tërë kjo katrahurë është zhvilluar me procedura tërësisht jotransparente që duhen ndërprerë urgjentisht deri në zhvillimin e procedurave të rregullta nga qeveria e ardhshme.

Ne jemi të pajtimit që Presidenca duhet vendosur në një objekt përfaqësues dhe të përshtatshëm, por assesi duke shkaktuar rrëmujë e shkëputje në punën e MKRS-së dhe MBPZHR-së dhe duke dëmtuar financat e qytetarëve të Kosovës përmes kostos marramendëse të qirasë në favor të dy pronarëve të objekteve private dhe investimeve luksoze shumëmilionëshe në objekt nga Presidenca.

Kërkojmë nga përgjegjësit e MKRS-së dhe MBPZHR-së të mos ndërmarrin vendime që dëmtojnë buxhetin e këtyre dy ministrive të destinuar në shërbim të politikave sektoriale duke i ridestinuar për qira mujore prej 105 mijë euro. LDK-ja mirëpret reagimin e dinjitetshëm të zyrtarëve të MKRS-së që kanë dalë në mbrojtje të buxhetit të shtetit dhe mbarëvajtjes së punës së tyre. Këta zyrtarë dëshmojnë se janë zëri i arsyeshëm kundër së keqes në këtë rast.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme