Reagojnë nga Presidenca: Paga e Vjosa Osmanit është e njëjtë me atë sa e kishte Thaçi

Prishtinë | 16 Kor 2021 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina i është përgjigjur deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës , Floretë Zejnullahu, që sot tha nga Kuvendi i Kosovës se “familja presidenciale e Vjosa Osmanit po e trajton Kosovën si monarki, pasi sipas saj marrin 75 mijë euro brenda një viti nga buxheti i Kosovës”.


Me anë të një shkrimi në Facebook, Kupina tha se presidentja Osmani e merr pagën e saj vjetore siç është paraparë me ligj.

“Nuk mjafton vetëm me u regjistru në listat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës sa për të figuru. Deklarimi publik i një deputeti ka peshë, ndaj fake diskutimet shpërfaqin nevojën për protagonizëm. Për dallim prej më herët, Presidentja Osmani pagën e saj e ka përdorë në funksion të afirmimit të Kosovën kudo në botë, përmirësimit të imazhit të saj, porse nuk ka lobuar në copëtimin e territorit të saj. Është nder për qytetarët e Kosovës kësaj radhe kanë një përfaqësim të denjë nga Presidentja Osmani”, thotë ai.

Kupina ka kërkuar nga deputetja e PDK-së që të gjurmojë faktet, para nxjerrjes së konkluzioneve.

“E nderuar deputete, përpara se të konstatoni, gjurmoni faktet, pastaj nxirrni konkluzione të qëndrueshme, jo sa për të thënë. Sa për ta përmbushur nevojën e diskutimit, e aq më pak sa për t`u bërë lajm në media online! Për më tepër, siç tregon formulari, paga e presidentit paraprak ka qenë e njëjtë me atë të Presidentes Osmani”, thotë ai.


Të ngjashme