Reagon këshilltarja e Haradinajt: Serbia synon defunksionalizimin e Kosovës përmes ‘Dodik Republikës’

Prishtinë | 26 Maj 2019 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Këshilltarja e kryeministrit, Meliza Haradinaj-Stublla, pas deklarimit të Marko GJuriqit se Ramush Haradinaj ka shkatërruar të gjitha marrëveshjet Kosovë-Serbi, i është kundërpërgjigjur duke thënë se Serbia asnjëherë s’ka qenë e gatshme për dialog.

Ajo në një postim në Facebook tha se Serbia po synon të defunksionalizojë Kosovën përmes krijimit të një Dodik Republike, njofton Klan Kosova.

Haradinaj-Stublla tha se Serbia nuk do ta shohë kurrë këtë ëndërr për të hyrë në Kosovë nga një derë e pasme.

Më poshtë postimi i saj i plotë:

Tani pasi plani i ndarjes u shua, Serbia synon defunksionalizimin e Kosovës përmes Dodik Republikës!

Më kujtohet në marsin e vitit 2018, derisa ishim në një takim trilateral të dialogut teknik Kosovë – BE – Serbi në Bruksel përballë Marko Gjuriqit dhe Dragan Vladisavljeviqit, në pyetjen time se kur Serbia do të fillojë ndërtimin e pikave kufitare në Bërnjak, Dheu i Bardhë, dhe Merdare, sipas marrëveshjes IBM, ky i fundit ma ktheu me nervozizëm: “Ne jemi në këtë dialog dhe në këtë tavolinë vetëm për Asociacionin, dhe nëse vazhdoni insistimin ne e lëshojmë këtë takim. Unë nuk jam studenti yt që të të përgjigjem.” Me një fjalë, Serbia nuk kanë qenë asnjëherë e interesuar për marrëveshje e as për dialog.

Tani le ta dijë Gjuriqi, Vladisavljeviqi dhe bota mirë e qartë, se Kosova i ka zbatuar të gjitha marrëveshjet, por asnjëherë s’do lejoj realizimin e Dodik Republikës brenda kufijve të 17 shkurtit.

Në Kosovë asnjëherë nuk do të ketë Asociacion ashtu siç ka pretenduar gjithmonë Serbia, duke defunksionalizuar investimin politik dy dekadësh të popullit dhe botës mbarë. Nuk do ta shohë asnjëherë Serbia ëndrrën për të hyrë në shtetin e Kosovës nga dera e pasme!

Serbia do të jetë gati për të vërtetën dhe paqen, atëherë kur do të fillojë t’i dojë fëmijët e saj më shumë se Millosheviqin. Meqë Gjuriqi paska mbet pa punë, le të angazhohet në këtë drejtim!

Të ngjashme