Reagon LDK-ja për zhvillimet në vend, kërkon maturi dhe qetësi

Prishtinë | 05 Nën 2020 | 15:49 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është mbledhur sot pas konfirmimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj krerëve të UÇK-së. LDK thotë se vendi po kalon në situatë të vështirë institucionale.

Në një komunikatë për media, LDK shkruan se situata e krijuar duhet të përballohet me qetësi dhe maturi.

LDK ka kërkuar unifikim të vendimeve të përgjegjshme politike dhe institucionale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara dhe aktin e sotëm të dorëheqjes së Presidentit të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK deklaron se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe është zhvilluar për të ndaluar gjenocidin serb në Kosovë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë”, thuhet më tej.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që institucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm”, thotë tutje në komunikatën e kësaj partie.

Të ngjashme