Reagon Lista Serbe pas ndalimit të sportistëve serbë, kritikon ashpër autoritetet e Kosovës

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Lista Serbe ka reaguar pas ndalimit të ekipit serb të basketbollit Slloga.

Ekipit serb të basketbollit Slloga nga Batoçina i cili ishte nisur në Kosovë që të zhvillojë një ndeshje me Trepçën në kuadër të ligës së dytë serbe, i është ndaluar hyrja nga autoritetet kosovare.

Basketbollistët serbë janë ndaluar nga autoritetet e Kosovës në pikëkalimin kufitar në Jarinjë dhe sipas Policisë së Kosovës, ndalimi i tyre është bërë për shkak se nuk kishin leje për të hyrë në Kosovë.

“Ekipi i potencuar nga ana juaj nuk ka pas leje nga ministria kompetente, prandaj edhe iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Hoxha për lajmi.net.

Mirëpo, pas këtij ndalimi ka reaguar Lista Serbe, e cila e ka dënuar këtë akt të autoriteteve kosovare.

Përmes një reagimi, Lista Serbe ndalimin e sportistëve serbë e ka quajtuar “vazhdim të politikës së vjetër anti-serbe”.

“Populli serb pret që qeveria e re e Kosovës të shfuqizojë të gjitha vendimet e paraardhësve të saj që rrezikojnë jetën normale të të gjithë qytetarëve në Kosovë dhe të cilat kryejnë ndarje tradicionale të qytetarëve mbi baza kombëtare”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Listës Serbe, përcjell lajmi.net.

Sipas Listës Serbe, vazhdimi i politikës siç thekson ky subjekt politik, anti-serbe do të ishte më shumë se shkatërrimtar për zhvillimin e marrëdhënieve më të mira midis popullit serb dhe shqiptar, e që sipas tyre, që do të ishte një parakusht për mirëkuptim të ndërsjellë dhe ndërtim të besimit, pa të cilin është e pamundur të ndërtohen marrëdhënie normale në të ardhmen.

Të ngjashme