Reagon Meliza Haradinaj: Kjo është e vërteta rreth rastit tim

Prishtinë | 30 Pri 2020 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Këshilltarja e Ramush Haradinajt, Meliza Haradinaj-Stublla, do të jetë ministrja e re e Punëve të Jashtme në rast të formimit të qeverisë re nga koalicioni LDK-AAK-NISMA.

Se ajo është propozuar për ministre e ka konfirmuar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit dhe nënshkrimit të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pasi Haradinaj ka bërë publik emrin e Meilza Haradainaj-Stublla, në media është sjellë në vëmendje dënimi i kësaj të fundit nga Gjykata për mos deklarimin e biznesit që e kishte në Londër.

E duke parë një gjë të tillë, përmes një komunikate për media këshilltarja e Haradinajt ka dhënë versionin e saj për ngajrjen. Ajo thotë se biznesin në Londër e kishte hapur në vitin 2015 me një kapital fillestar prej 10 funtash.

Ajo sqaron se në momentin kur kishte filluar punë si këshilltare e kryeministrit Haradinaj ishte konsultuar me një avokat anglez dhe kësisoj e kishte vendosur statusin e biznesit të saj në shuarje e sipër duke mos kryer kurrfar aktivitetesh financiare.

Meliza Haradinaj-Stublla thekson se kjo edhe ka qenë arsyeja pse nuk e ka dekalruar si biznes në vitin 2017.

“Në vitin 2015 kam hapur në Mbretërinë e Bashkuar një biznes përmes formës elektronike, duke respektuar në tërësi legjislacionin anglez në fuqi, me kapital fillestar prej 10 funtash. Në vitin 2017, kur jam emëruar këshilltare e Kryeministrit, jam konsultuar me avokatin anglez, i cili më ka këshilluar se biznesi trajtohet si i fjetur, pa transaksione me peshë afariste, dhe në shuarje e sipër, andaj për këtë arsye edhe nuk e kam deklaruar në tetor të vitit 2017, me rastin e emërimit në detyrën e Këshilltares së Kryeministrit. Vlen të theksohet se biznesi përgjatë gjithë historikut të tij financiar, nuk ka tejkaluar vlerën prej 3,000€ qarkullim. Citoj letrën e avokatit deponuar edhe në Prokurori: “Mund të konfirmoj se kompania ‘In Middle Ltd’ nuk ishte ndërmarrje tregtare më datën 30 shtator 2017 dhe se statusi i saj nuk ka ndryshuar që atëherë. Gjithashtu mund të konfirmoj se mikro llogaritë e fundit për kompaninë për vitin që mbaron më 30 shtator 2017, treguan vlerë neto të aseteve prej më pak se 3,000 euro, e cila është brenda pragut të përcaktuar në Ligjin e Kosovës nr. 04/L-50 (dhe ndryshim/plotësimit të Ligjit nr. 04/L-228).”, thuhet në reagim.

Megjithatë ajo e pranon se është dënuar dhe se një vendim të tillë e ka dërguar në Apel.

“Vendimi në shkallë të parë me të cilin jam shpallur fajtore për mos deklarim të biznesit të shuar është marrë në bazë të keqinterpretimit të statusit të kompanisë dhe pa vërtetimin nga autoritetet angleze nëse kompania është shuar apo jo. Këtë vendim e kam apeluar”, ka përfunduar ajo, duke thënë se kjo është e vërteta e rastit të saj.

Të ngjashme