Reagon partia serbe zyrtarë të së cilës u ndaluan nga Serbia, kërkon ndërhyrjen e BE-së

Prishtinë | 11 Maj 2019 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Pas ndalimit të sotëm të dy zyrtarëve serbë të Qeverisë së Kosovës nga Policia e Serbisë në pikën kufitare Dheu i Bardhë, Partia e Pavarur Liberale nga radhët e së cilës janë të ndaluarit, përmes një kumtese për medie, ka thënë se nuk i kupton përpjekjet e frikësimit dhe të keqtrajtimit të anëtarëve të vet që bartin funksione publike në Kosovë nga policia e Serbisë.

Në kumtesë përkujtohet se pas ndalimit të sotëm të Sreçko Spasiqit dhe Sërgjan Jovanoviqit, më herët ishin ndaluar edhe kryetari kësaj partie Slobodan Petroviq dhe zyrtarët e kësaj partie, Boban Stankoviq dhe Nebojsha Jakovljeviq.

“Partia e Pavarur Liberale nuk i kupton këto përpjekje për frikësim e keqtrajtim dhe kush e di për të satën herë kërkon përgjigje nga presidenti i Serbisë, kryeministrja dhe shefi i Shërbimit të Agjencisë informative, pse përfaqësuesit e lartë të kësaj partie politike po ndalohen në hapësirat policore të Serbisë nëpër vendkalime. Presim reagimin konkret të BE-së dhe të institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare lidhur me këto keqtrajtime të anëtarëve të Partisë së Pavarur Liberale”, thotë ndër të tjera kumtesa.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj më herët kishte thënë se nëse Serbia vazhdon t’i ndalojë zyrtarët serbë të Kosovës, edhe Kosova do të ndërmarrë hapa të ngjashëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme