Reçica: Zgjedhjet s’janë zgjidhje, demarkacioni do të kalojë

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 11:15 | Nga

Partia Demokratike e Kosovës, nuk i sheh zgjedhjet e parakohshme si zgjidhje për tejkalimin e situatës politike në vend. Në partinë më të madhe në vend shprehen optimist se do të arrihet një konsensus mes palëve.

Zëvendësshefi i Grupit parlamentar të PDK-së, dhe njëherësh anëtar i Kryesisë së kësaj partie, Elmi Reçica thotë se kjo parti arritjen e një ujdie mes pozitës dhe opozitës për çështjen e demarkacionit e sheh vetëm përmes dialogut.

“Unë besoj se çështja e demarkacionit do të zgjidhet dhe nuk besoj qe zgjedhjet janë zgjidhje”, ka thënë Reçica për Indeksonline.

Ai thotë se arsye e fortë për arritjen e një gjuhe të përbashkët duhet të jetë edhe vendosja e demarkacionit si kusht për liberalizimin e vizave.

Reçica nuk beson se Qeveria ka insistuar tek Brukseli zyrtar qe kriteri për demarkacionin të jetë kusht për liberalizim të vizave.

Partitë opozitare tash e një kohë janë duke kërkuar qe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme me pretekstin se kjo qeveri nuk ka me mandat kushtetues dhe legjitim të qeverisë me vendin.

Të ngjashme