Reciprociteti për targa, ish-ministri i Tregtisë: Nga ky vendim duhet të përjashtohet Lugina

Prishtinë | 20 Sht 2021 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka reaguar rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin për targat e Serbisë.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se zbatimi i reciprocitetit me Serbinë është një hap i mirëpritur çdo herë.

Hasani ka thënë se edhe gjatë kohës sa ishte ministër, aty ku ka pasur hapësirë ligjore ka vendosur masa ndaj produkteve serbe.

“Vendimet e tilla janë të mirëseardhur, e forcojnë shtetin tonë”, ka thënë ai.

Ish-ministri Hasani ka theksuar se nga ky vendim duhet të përjashtohen qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Tekefundit ata nuk kanë tjetër shtet. Qeveria do të duhej që të gjejë një zgjidhje dhe ta largojë pagesën prej pesë euro për targat e përkohshme për qytetarët shqiptarë të Luginës të cilët vazhdimisht, edhe për shkak të lidhjeve të shumta familjare që kanë në Kosovë. Është koha e fundit që qytetarët e Luginës ta ndjejnë se Kosova është afër tyre dhe përkujdeset për ta”, ka shkruar Hasani.

Të ngjashme