Reciprociteti vendoset brenda disa ditëve

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 07:27 | Nga Ekonomia Online

Qeveria Kurti brenda disa ditësh do t’i prezantojë masat reciproke të cilat do të aplikohen në raport me Serbinë dhe do ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga ky shtet. Por vendimmarrja në Qeveri do të ndodhë pasi Kurti të koordinohet me partnerin qeverisës, LDK-në.

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit që vjen nga radhët e LDK-së, ka thënë se brenda tri ditëve do të vendoset aspekti kohor dhe përmbajtja e masave reciproke. Teksa ka folur për këtë çështje, Osmani i është referuar marrëveshjes për bashkëqeverisje, sipas së cilës taksa do të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Lidhur me konkretizimin e asaj marrëveshjeje besoj që këto dy-tri ditë do të kemi një takim koordinues dhe do t’i vendosim të gjithë hapat, qoftë për aspektin kohor, apo atë përmbajtjesor lidhur me zbatimin e asaj marrëveshjeje”, ka thënë Osmani pas mbledhjes së Kryesisë, të martën.

Prej më shumë se një jave gazeta ka adresuar pyetje në Zyrën e kryeministrit për masat që përfshijnë secilin prej tri aspekteve të listuara, por ka munguar përgjigjja e tyre.

Të ngjashme