Refuzimi i Kosovës nga ACCF-ja − deklarohen nga Gjykata Kushtetuese

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës të mërkurën ka dështuar të anëtarësohet në Asociacionin Frankofon të Gjykatave Kushtetuese.

Kushtetuesja e Kosovës ka konfirmuar se nuk ka arritur të anëtarësohet në këtë asociacion, të themeluar më 1997 me qëllimin e forcimit të lidhjeve ndërmjet anëtarëve të botës frëngjisht-folëse.

Kishte pak dallim në numrin e votave për dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë asociacion.

“Në Kongresin e 9-të të ACCF-së, mbajtur në Dakar të Senegalit, më 1 qershor 2022, përkundër numrit të madh të votave të fituara, kërkesa e Gjykatës për anëtarësim megjithatë këtë herë nuk u mbështet nga numri i domosdoshëm i gjykatave anëtare, me një ndryshim minimal të votave për dhe kundër”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesën për anëtarësim, Gjykata tha se e ka dorëzuar fundvitin e kaluar.

“Kjo është hera e parë që Gjykata aplikon në këtë asociacion”, tha Kushtetuesja në përgjigjen për Express.

Në Serbi, kjo u festua si sukses. Mediumi shtetëror serb, “Tanjug” raportoi se Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka pranuar mbështetjen e shumicës së shteteve në Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese Frankofone për ta kundërshtuar anëtarësimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në këtë asociacion.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë tha se mori pjesë aktivisht në Kongresin e nëntë të ACCF-së për t’i mobilizuar anëtarët tjerë të votojnë kundër kërkesës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Të ngjashme