Reka: Zgjedhjet e reja forcojnë Vetëvendosjen

Prishtinë | 17 Qer 2017 | 13:52 | Nga

Ish-ambasadori i Maqedonisë në Bashkimin Evropian, Blerim Reka, i cili njëherësh është njohës i zhvillimeve politike në Kosovë, ka thënë për “Zërin” se nëse Kosovës para tre vjetësh iu deshën gjashtë muaj të humbura për ta formuar Qeverinë, tani nuk e ka luksin që t’i humbë edhe gjashtë muaj apo më shumë në beteja të panevojshme të inateve ndërpartiake.

“Sidomos jo si një shtet që mezi nënshkroi MSA-në dhe ende nuk ka regjim, pa viza me BE-në. Një Britani e Madhe e fuqishme dhe e pasur edhe mund t’i lejojë vetes brenda disa muajve t’i mbajë dy parë zgjedhje, por jo edhe një Kosovë të varfër. Nëse në tentimin e parë koalicioni PAN nuk arrin ta formojë Qeverinë e nuk mandatohet ‘Vetëvendosja’ vendi do të shkojë në zgjedhje të reja”, thotë Reka për Zërin.

Por atëherë ai thekson se “Vetëvendosja” do të forcohet edhe më shumë, duke e formuar në vjeshtë vetë Qeverinë pa nevojë koalicionimi. “Nëse pas tre vjetësh ‘Vetëvendosja’ u rrit për 120 për qind, çka mund të presim pas vetëm tre muajsh si fituese e këtyre zgjedhjeve? 2017-a është krejtësisht ndryshe nga 2014-a. Kush nuk e kupton këtë vërtet jeton jashtë realitetit politik”, thotë Reka.

Ai ka shtuar se në zgjedhjet e 11 qershorit votuan për të parën herë ata që kishin lindur në vitin 1999. “Në vjeshtë kjo kategori moshore vetëm sa do të jetë më e numërt në trupin elektoral dhe besoj se ju vetë mund ta parashikoni, që tash në qershor, rezultatin e zgjedhjeve eventuale të parakohshme në vjeshtë”, ka thënë ai për gazetën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme