Reka: Zyrtarët e Hitlerit u dënuan pas luftës, të Millosheviqit ende e udhëheqin Serbinë

Prishtinë | 10 Qer 2022 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka kujtuar 10 qershorin – ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe 12 qershorin – 23 vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Reka ka bërë një krahasim mes 12 qershorit 1999 dhe 6 qershorit të vitit 1944 kur është bërë zbarkimi i forcave aleate në Normandi për mposhtjen e fashizmit Hitlerian.

Reka ka thënë se derisa pas Luftës së Dytë Botërore, zyrtarët e Hitlerit janë dënuar, pas luftës në Kosovë, ministrat e Millosheviqit po e udhëheqin Serbinë.

“10 qershori 1878, ishte zëri unifikues kombëtar- tre ditë para Kongresit të Berlinit; si përgjigje e bashkuar shqiptare, kundër planeve ndarëse të diplomacisë evropiane. Vendimet e padrejta të këtij kongresi, krijuan golgotën shqiptare për një shekull e gjysmë. 12 qershori 1999, ndërkaq ishte Dita D për Kosovën, sikur që 6 qershori 1944 ishte D-Day për Evropën. Pa zbarkimin e forcave aleate në Normandi, nuk do të mposhtej fashizmi Hitlerian, ashtu sikur që pa hyrjen e këmbësorisë së NATO-s në Kosovë, nuk do të mposhtej fashizmi Milosheviqian. Mirëpo derisa pas Luftës së Dytë Botërore, zyrtarët e Hitlerit ishin dënuar; pas luftës në Kosovë, ministrat e Millosheviqit, jo që nuk u dënuan, por edhe sot e udhëheqin Serbinë”, ka shkruar Reka.

Të ngjashme