Reshitaj: Mbyllja totale nuk është opsion i duhur, sa më pak politikë të bëhet në menaxhim të pandemisë

Prishtinë | 11 Nën 2020 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj, ka thënë se është për keqardhje që Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, i cili është urgjent nuk po arrinë të futet në senacë dhe të kalojë.

Këtë koment ajo e ka dhënë në emisionin “Frontal” në T7, teksa shtoi se në seancë mungoi edhe LVV-ja që “konsideroj që prap s’do ta votojnë dhe mungoi edhe PDK-ja”, tha ajo.

Megjithatë, Reshitaj theksoi se beson se koalicioni i ka pasur votat edhe sot për ta votuar në lexin të dytë ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ajo tha se vendi po përjeton pandemi dhe kjo nuk është përgjegjësi vetëm e pozitës por e të gjitha partive politike.

“Nuk është përgjegjësi vetëm e pozitës por e të gjithëve, çdo deputet duhet të ndjej mbi supe përgjegjësinë morale mbi këtë çështje”, tha ajo.

“Nesër kemi seancën e rregullt, presim shumë shpejt të kthehet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike”, vazhdoi ajo.

Reshitaj u shpreh se duhet mirëkuptimi i të gjithëve për masat e reja kundër koronavirusit, ndërsa mbyllja totale tha se nuk është opsion.

“Ditë më parë kemi marrë informatë që paralajmërohet mbyllje totale e vendit, kemi reflektuar edhe nga përfaqësuesit tanë qe e kemi në qeveri që nuk është momenti të shkojmë në një epilog në mbyllje totale, konsiderojmë se ka hapësirë për opsione të tjera para se të shkojmë në mbyllje totale”, u shpreh Reshitaj ndër të tjera.

Reshitaj tha se nuk duhet bërë politikë në menaxhim të pandemisë.

Të ngjashme