Reshitaj përfaqëson Kosovën në takimin për ndryshimet klimatike

Bonn | 17 Nën 2017 | 17:26 | Nga

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, që po mbahet në Bonn të Gjermanisë. Takimi organizohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe nikoqir i radhës është ministri i Mjedisit të Serbisë.

Ministrja Reshitaj, para të pranishmeve, foli për gjendjen e mjedisit, sfidat dhe hapat që Kosova po merr në raport me ndryshimet klimatike, duke shprehur gatishmërinë dhe nevojën e bashkëpunimit mes shteteve në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve qe lidhen me ndryshimet klimatike, thuhet në një komunikatë të MMPH-së.

Ajo kërkoi që Kosova të këtë qasje në fondet ndërkombëtare për mjedisin, me theks të veçantë në reduktimin e ndotje se ajrit dhe ndryshimeve klimatike.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar në krijimin e një mjedisi të pastër duke reduktuar efektet serre dhe falë angazhimeve në krahasim me vendet e tjera evropiane, ajo ka emetime relativisht më të ulëta të gazrave serrë për kokë banori”.

“Shteti ynë do të ngadalësojë rritjen e emetimeve të gazrave serrë nëpërmjet: rritjes së efikasitetit të energjisë në të gjithë sektorët; investimi në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve të saj natyrore”, shtoi Reshitaj.

Pjesëmarrësit në këtë takim miratuan Deklaratën mbi Mjedisin dhe Veprimin Klimatik në Ballkanin Perëndimor, duke rënë dakord për nevojën e bashkëpunimit mes vendeve për të përmirësuar koordinimin e iniciativave dhe projekteve ekzistuese rajonale, si dhe ato që do të zhvillohen për t’i shërbyer qëllimeve të Strategjisë së Evropës Juglindore 2020.

Deri me tani, Kosova për dallim nga shtetet tjera në këto takime është përfaqësuar vetëm nga stafi administrativ dhe jo nga ministri i mjedisit. Kjo është hera e parë që Kosova përfaqësohet nga një ministër si shtet i pavarur.

Të ngjashme