Reshitaj: Sot nis një fazë e re në Mjedis dhe Planifikim Hapësinor

Prishtinë | 11 Sht 2017 | 14:34 | Nga

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) sot u bë pranim-dorëzimi i detyrës nga ministri i deritanishëm, Ferat Shala, te ministrja e re Albena Reshitaj.

Reshitaj ka falënderuar Shalën për prezantimin e projekteve të realizuara gjatë mandatit të tij, ndërsa ka paralajmëruar se nga sot nis një fazë e re në MMPH. Ajo ka thënë se do të punojë ngushtë me stafin civil për të arritur progres në fushën e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ne, sot po fillojmë një fazë të re të politikëbërjes në fushën e mbrojtës së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që përmbushë kriteret evropiane për jetë të shëndetshme si dhe ngritje të cilësisë dhe jetës së qytetarëve të Kosovës”, shtoi ministrja Reshitaj.

Sipas një njoftimi shtypi të MMPH-së, Shala e njoftoi pasardhësen e tij në MMPH me projektet e realizuara, ato në realizim e sipër, si dhe planet që ka pasur.

Reshitaj e ka falënderuar edhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin, dhe anëtarësinë e gjerë të partisë për besimin e dhënë që të drejtojë këtë ministri, për implementimin e politikave progresive të AKR-së në lidhje me Mjedisin dhe Planifikimin Hapësinor në Kosovë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme