Rexhaj, VV-ja: Hoti i padijshëm në dialog – Zajednicën e ka sjellë LDK-ja

Prishtinë | 24 Kor 2020 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se Avdullah Hoti është një kryeministër i padijshëm i cili është futur në procesin e dialogut me Serbinë me koordinata të Presidentit Hashim Thaçi.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Rexhaj ka thënë se Zajednicën që e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje e ka sjellë Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ajo që ne pamë sot edhe pse quhej raportim, nuk kishte të bënte fare me raportimin para deputetëve sepse Avdullah Hoti nuk tha asgjë. Në fakt në atë takimin që e ka mbajtur Hoti me shoqërinë civile, ka thënë se si Kryeministër nuk është në dijeni se deri ku ka shkuar dialogu”.

“Kjo tregon se Hoti është një kryeministër i padijshëm i cili është futur në një top pingpongu të Thaçit që në fakt është edhe shefi i tij. Kemi një qeveri e cila është krijuar nga Thaçi”.

“Përgjigja ‘razumem’ e Hotit para Vuçiqit që po e quan ti është simbolike, mendoj që nuk ia vlen të diskutohet, por e tregon një lloj inferioriteti përballë Vuçiqit sepse Hoti nuk e ka legjitimitetin e duhur. Ai është bërë kryeministër pas një pushteti të vjedhur dhe një tradhtie elektorale në kohën e pandemisë”.

“Dialogun po e vazhdon Hoti në bashkërendim me Thaçin – meqenëse Thaçi e ka kryqin e Gjykatës Speciale – megjithatë ai [Thaçi] po e dirigjon pinjollin e tij [Hotin] në dialogun me Serbinë”.

Sipas Rexhajt, kemi një kryeministër i cili thotë po shkoj në dialog për tema të caktuara; ndërsa nuk e di se deri ku ka mbërritur dialogu.

“Kemi një kryeministër i cili është komplet jashtë sistemit dhe po merr koordinata nga një president i cili e ka bërë atë kryeministër”.

“Si kryeministër është turp me pyet se deri ku ka mbërritur procesi. Hoti nuk di asgjë. Ai në një farë forme vet ka thënë se Thaçi po i vë thikat mbi hartën e Kosovës. Ai ka thënë se na rrezikohet territori prej Thaçit. Ai ka thënë se ka rrezik për shkëmbim territoresh”.

“Zajednicën që e kemi kundërshtuar ne e ka pruar LDK-ja. Në Kuvend nuk është përmendur çështja e zonave të mbrojtura të kishave dhe manastireve serbe. Është e nevojshme që me pas në tryezë një platformë për dialogun me Serbinë”.

“Në dialog ka platformë, nuk mund të shkohet atje pa platformë. Strategjia mund të fshihet. Mendoj se sot Hoti ka thënë: Unë kam  dalë të raportoj, por ai asgjë nuk ka raportuar”.

Rexhaj ka pyetur se si do t’i përgjigjet Hoti palës serbe kur ata të thonë se kanë trashëgimi kulturore në Kosovë?

“Vet Hoti në një formë të vullnetshme tha unë heq dorë prej njohjeve të reja dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

“Ky dialog që përflitet se ka me qenë politik po rrëshqet në një dialog teknik. Çështja e legjitimitetit po duket te dikush që është opozitarizëm, nuk është ashtu. Kur del në dialog me mungesë të legjitimitetit – kjo është problematike”.

Të ngjashme