Rexhep Selimi për mosanëtarësimin në Interpol: Diplomacia kosovare s’ishte në nivel të duhur

Prishtinë | 20 Nën 2018 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, që ka qenë pjesë e grupit punues të Kosovës për anëtarësim në Interpol, proces që dështoi të votohet sot, ka thënë se shkak për këtë dështim është një adresë të përhershme – Serbia, por që sipas tij edhe diplomacia kosovare nuk ka qenë në nivel e duhur.

Selimi nga ana tjetër ka përgëzuar ekipin e Policisë së Kosovës që ka qëndruar në Dubai por edhe për punën e bërë gjatë gjithë vitit nga ta.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se punët nuk kanë qenë të koordinuara në mes të ekipit politik dhe atij të policisë, njofton Klan Kosova.

“Ministri Pacolli jo vetëm që nuk ia kushtuar gjithë vitin, por as këtë javë sa ka qëndruar në Dubai. E dimë që ka qenë diku në një hotel. Përveç dështimit të diplomacisë është edhe humbje për Kosovën. Problemi është se Kosova ka marrë kahje të keqe të integrimit”, ka thënë Selimi për Info Magazine nga Dubai.

“As në skenarin më të keq s’e kemi paramenduar kështu, e aq më tepër shtete që e kanë njohur nuk e kanë dhënë votën, si Japonia dhe Hungaria dhe kanë thënë se ka qenë vendimi i qeverie të tyre. Kjo nuk është problem i izoluar për Interpol por është problem që e ka Kosova edhe karshi bisedimeve me Serbinë dhe temave që janë hapur tash si kontestimi i pavarësisë sonë”.

“Paramendoni kur presidenti ka tash e një javë që ka ardh me aeroplan privat të ministrit të jashtëm. Paramendojeni kur presidenti jep shantazh ndaj Kosovës se duhet të kemi bisedime dhe koncesione – kjo e ka dëmtuar Kosovën, qasja e institucioneve të Kosovës dhe bartëseve të saj. Ai [Thaçi] është personi ndër të paktët që mban përgjegjësi për kahje e keqe që ka marrë Kosova”.

Selimi ka ripërsëritur se të gjithë ekspertët nga Policia e Kosovës kanë qenë në nivelin e duhur, por që sipas tij në këtë nivel s’ka qenë diplomacia me në krye ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme