Rezolutat konsiderohen si arsye për të mbajtur “gjallë” elektoratin, kërkohet strategji për zbatim

Prishtinë | 13 Pri 2019 | 08:00 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në vazhdimësi numër të madh të rezolutave, por që ka munguar zbatimi i tyre.

Seancat e gjata e me debat për temat e ndryshme në këtë legjislaturë kanë përfunduar me miratimin e rezolutave të propozuara e për të cilat askush nuk ka dhënë më llogari.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, i tha Ekonomia Online se fajin për moszbatimit të rezolutave e ka opozita.

Sipas tij, thirrja e shumë seancave dhe mosharmonizimi mes partive rreth një rezolute, po lë të kuptohet se ajo po bëhet për qëllime politike.

“Unë mendoj që kur spektri politik e nxjerrë një rezolutë me pas një harmonizim më të mirë mes vete, me qenë një unitet për me nxjerrë një rezolutë dhe ne jemi sistem parlamentar, parlamenti e ka këtë të drejtë por ne e dimë që nganjëherë rezolutat në harmonizim duhet me qenë me ligjet dhe Kushtetutën”.

“Mendoj që ka efektin e vet dhe është mirë që të nxjerrim rezoluta, por nuk është mirë me keqpërdorë këtë, me thirrur seanca shumë sepse po e humbim kohën e punëve të tjera në parlament sepse janë edhe shumë ligje që na presin me i votuar edhe në lexim të dytë, edhe në lexim të parë”.

“Shpesh, sidomos opozita po bën seanca shumë politike ose me mbajt komunikimin me elektoratin. Elektorati ka nevojë për me zgjidhë probleme jo me iu thënë fjalë”.

Beqaj shprehet se nuk mjafton vetëm propozimi për rezolutë, por duhet edhe strategji për zbatimin e saj.

“Është mirë që pas rezolutës të kemi një strategji nacionale  për çështje të tilla, jo vetëm të bëjmë debat, të kërkojmë rezoluta apo t’i përdorim vetëm për cikël elektoral por t’i përdorim me të vërtetë për nevoja të qytetarëve”.

Deputeti i PDK-së thotë se shumë nga rezolutat janë nxjerrë edhe për qëllime politike për ta mbajtur elektoratin, raporton Ekonomia Online.

“Fatkeqësisht shumica prej rezolutave nuk janë zbatuar, por shpesh ka ndodhë kemi nxjerrë rezoluta politike vetëm sa për me mbajtur atë elektoratin tonë”.

“Unë mendoj që Kuvendi kur nxjerrë një rezolutë, duhet me nxjerrë një rezolutë obligative për të gjitha palët, në këtë rast edhe për institucionet e tjera që i zbatojnë ligjet në vend, për Qeverinë dhe të tjerët”.

Deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i ka quajtur rezolutat instrumente këshillëdhënëse për programin e Qeverisë.

Sherifi e pranon se rezolutat nganjëherë nuk zbatohen, por që i sheh të mirëseardhura.

“Rezolutat për çështje të caktuara janë të mirëseardhura dhe janë këshilla për Qeverinë, Qeveria pastaj merr atë që konsideron se është në përputhje me programin e saj dhe nuk merr atë që nuk janë në përputhje”.

“Mendoj që ka pas raste kur rezolutat e miratuara në Kuvend, Qeveria menjëherë i ka shndërruar në vepra”.

“Rezolutat janë udhërrëfyes, janë shprehje e vullnetit të deputetëve të cilët marrin pjesë në debat dhe votojnë një rezolutë për Qeverinë. Janë instrumente këshill-dhënëse për programin e Qeverisë”. 

Të ngjashme