Rezultati i zgjedhjeve mund të përfundojë në Kushtetuese

Prishtinë | 06 Nën 2019 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Ankesat e paralajmëruara nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, mund të çojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në instanca tjera, përfshi edhe Gjykatën Kushtetuese.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të gjitha votat tashmë janë numëruar dhe ka paralajmëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për të enjten, më 7 nëntor.

Por, ky rezultat i zgjedhjeve, që pritet të shpallet më 7 tetor, po paralajmërohet se do të kontestohet nga koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë. Ky koalicion ka mbetur për disa vota jashtë përfshirjes në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Pragu minimal për të siguruar ulëse në Kuvend është 5 për qind, të cilin ky koalicion pretendon se e ka kaluar, por dyshon se kishte parregullsi gjatë numërimit, kështu që synon të kthejë procesin në rinumërimin e të gjitha votave.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, tha për Radion Evropa e Lirë se do të bëjnë ankesë në instancat më të larta, duke iu referuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Është bërë ankesa dhe do të bëhet prapë. Lideri i koalicionit, Fatmir Limaj e ka bërë të qartë se ne do të shkojmë deri në instancën më të lartë. Janë dy ankesa tona, është rinumërimi i plotë i votave dhe ankesa tjetër ka të bëjë me votat të cilat kanë ardhur nga Serbia, të cilat janë jolegale. Jemi në një situatë të keqe, për pak vota jemi aty. Nëse hyjnë në sistem votat e ardhura nga Serbia ne mbesim jashtë Kuvendit, e nëse ato vota anulohen, ne e kalojmë pragun”, tha Makolli.

Njohësi i proceseve zgjedhore, Armend Muja, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se votat nga Serbia në të cilat thirret koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, paraqet një betejë për një narracion politik.

“I kemi dy të dhëna. Të dhënat e para ishin ato që ishin votat preliminare dhe votat që erdhën nga Serbia, pastaj votat me kusht dhe votat nga diaspora. Ajo çka dimë ne ishte se në votat preliminare koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, ishte nën prag. Pastaj në bazë të rrjedhës kohore del se ky koalicioni duhet të ketë rënë në vazhdim si rezultat i votave nga Serbia dhe votave me kusht dhe votave nga diaspora”, thotë Muja, raporton REL.

Të ngjashme