Rikalo zotohet për transparencë, thotë se 4 ligje i ka gati t’i dërgojë në Qeveri

Prishtinë | 23 Tet 2017 | 11:38 | Nga Valbona Bytyqi

Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka paraqit planin dhe prioritetet e ministrisë që drejton.

Ministri Rikalo, tha se ministrinë e Bujqësisë e kanë gjetur në një gjendje të mirë dhe se do të punojnë në mënyrë që të fuqizojnë ndikimin e kësaj ministrie në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ai më tej shtoi se i ka gati katër ligje që t’i dërgoj në Qeveri, raporton Ekonomia Online.

“Kjo qeveri ka më tepër se një muaj funksionale dhe më vjen mirë që kontaktoj direkt me ju dhe jam gjithmonë i gatshëm që të kontaktoj me ju. Aktualisht në ministri janë katër ligje në procedurë që do të ia dërgojmë Qeverisë në miratim dhe pastaj Qeveria në Kuvend. Siç e thatë ligjin për pyje, për ushqimin dhe zhvillimin rural”.

“…sa i përket plan-programet për vitin e ardhshëm i kemi përpunuar buxhetin për vitin e ardhshëm ne ia kemi dërguar ministrisë së financave dhe ata do të përpunojnë ato të dhëna besoj që ai buxhet do të jetë buxhet i zhvillimit si për subvencione për prodhimin primar bujqësor dhe prodhimet që janë shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik në Kosovë”.

Ministri Rikalo tha se prioritet i ministrisë që ai udhëheq do të jetë transparenca.

“Ajo që kemi vendosur që prioritet është transparenca dhe hapja e ministrisë për publikun çdo gjë të punojmë në ministri të jetë e hapur për ligjvënësit dhe fermerët tanë. Në ministri kemi pasur në një bazë solide dhe ka shumë gjëra të mira që janë punuar dhe duam që ato gjëra veç ti forcojmë. Aty ku vërejmë të meta ti përmirësojmë dhe të kem ministrinë shembull siç ka qenë deri më tani”.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, Daut Haradinaj ministrit ia paraqiti kërkesat nga vreshtarët e Kosovës.

Ai më tutje tha se komisioni që ai udhëheq do t`i ndihmojë ministrit në realizimin e kërkesave drejtuar kësaj ministria.

E Enver Hoti, anëtar i këtij komisionit nga radhët e Nisma për Kosovën tha se bujqësia në Kosovë nuk është në gjendje të mirë. Ai tha se në këtë komision do të jetë këmbëngulës dhe kërkues deri në realizimin e kërkesave.

Në rend dite është shqyrtimi i draft-planit të punës së komisionit për vitin 2017, raporton Ekonomia Online.

Të ngjashme