Rinumërohen 299 vendvotime, procesi mund të përmbyllet për 10 ditë

Prishtinë | 16 Nën 2019 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të vendvotimeve, për të cilat KQZ-ja është urdhëruar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Sipas të dhënave të KQZ-së vetëm brenda ditës së premte (08:00 – 00:00) janë rinumëruar 130 vendvotime.

Lajmi është konfirmuar për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se “në përgjithësi numri i vendvotimeve të rinumëruara për dy ditë e gjysmë është 299 vendvotime apo 21.25%”.

KQZ-ja nuk ka dhënë ndonjë parashikim se sa ditë duhen për të përmbyllur të gjithë këtë rinumërim të vendosur nga PZAP-i, por duke u mbështetur në të dhënat e deritashme i bie që brenda një dite, nga mëngjesi deri në mesnatë, të rinumërohen mesatarisht 120 vendvotime.

Nëse QNR do të punojë me këtë dinamikë atëherë pjesa e mbetur e vendvotimeve mund të rinumërohen brenda 10 ditëve.

Numri i vendvotimeve që duhet të rinumërohen është rreth 1 410, ndonëse fillimisht në vendim të PZAP-it ishte shkruar së bëhet fjalë për 1 472 vendvotime. Por, KQZ-ja pasi ka rishikuar listën e paraqitur në vendim ka vërejtur se 38 vendvotime ishin shënuar nga dy herë, 18 të tjera ishin rinumëruar më parë dhe 7 të tjera nuk përputhen me listën e vendvotimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme