Rivalët e Listës Serbe në rrezik nga Serbia

Prishtinë | 27 Sht 2019 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Vegla në duar të shqiptarëve janë etiketuar nga Serbia të gjithë ata që nuk janë me Listën Serbe. Beogradi nuk dëshiron të shohë në garë subjekt tjetër politik për zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë. Ata që vendosën ta sfidojnë Listën Serbe kanë folur për presione, shantazhe e frikësime. Disa prej familjarëve të cilët kanë lidhje me kandidatët që janë në garë për zgjedhjet 6 tetorit, tashmë kanë humbur vendet e punës, shkruan sot Koha Ditore.

Rivalët e Listës Serbe kanë thënë se, edhe duan bashkëpunim me Beogradin, por jo të shndërrohen në marionetë, sikurse ka ndodhur me subjektin që u krijua pas marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë. Kërcënimet kanë shkuar aq larg, saqë është kërkuar edhe ndërhyja e organeve të ndjekjes. Por Prokuroria e Shtetit nuk ka treguar nëse zyrtarisht ka nisur hetimet për kërcënuesit. Me situatën në mjediset serbe është njoftuar edhe Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian.

Nenad Rashiq është kandidat për kryeministër nga koalicioni “Liria”. Ai ka thënë se janë duke vepruar në kushte shantazhi e presioni.

“Agresiviteti është rritur dhe është bërë më brutal. Zonja e një aktivisti të partisë sonë është kontrolluar në detaje, është marrë në pyetje, i kanë thënë se kontrata i skadon në tetor. Kështu është që prej themelimit të Listës Serbe në vitin 2013”, ka thënë Rashiq, i cili ka qenë pjesë e një debati të organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë. Në rrethana të tilla, sipas tij, rezultati i zgjedhjeve është në plan të dytë, pasi ka frikë se mund të cenohet jeta e qytetarëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme