Rohan për Gjykatën Speciale: Jeni shtet i dobët, kujdes si po silleni me diplomatët e BE-së dhe ShBA-së

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 20:12 | Nga

Parlamenti i Kosovës edhe mund ta zhbëjë Gjykatën Speciale. Por, para këtij veprimi duhet gjetur alternativa për t’i zbardhur pretendimet për krime lufte. Për këtë duhet marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar përfshirë BE-në dhe ShBA-në. Kosova është shtet i pafuqishëm, s’është anëtare e BE-së dhe as e OKB-së. Vendimmarrje e tillë e pakoordinuar e dobëson edhe më shumë shtetin e ti.

Ish-Zëvendësi i Ahtisarit në dialogun Kosovë-Serbi, Albert Rohan, ka thënë se liderët e Kosovës para se të tentonin të shfuqizonin Gjykatën Speciale në Parlament do të duhej të mendonin se në cilën gjykatë do të gjykoheshin pretendimet e Senatorit zviceran lidhur me akuzat për krime të kryera në kohën e luftës dhe pasluftës nga pjesëtarë të UÇK-së.

Rohan ka thënë se udhëheqja e Kosovës nuk ka prezantuar asnjë alternativë se kush do të merret me pretendimet për akuzat e kryera gjatë luftës.

“Pyetja ime e parë do të ishte me çka e zëvendësoni”, ka thënë Rohan, për Express, kur është pyetur se si e sheh shfuqizimin e Speciales nga Parlamenti i Kosovës.

Ata duhet të gjejnë një marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar”, ka shtuar ai.

Këto komente Rohan i ka bërë një ditë pasi dështoi nisma e deputetëve të pushtetit për të rrëzuar Gjykatën Speciale përmes anulimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Prapa kësaj nisme kanë qëndruar Presidenti Hashim Thaçi, Kryeministri Ramush Haradinaj, Kryetari i Parlamentit Kadri Veseli e Kryetari i Nismës Fatmir Limaj.

Sidoqoftë, Rohan thotë se edhe liderët e Kosovës por edhe diplomatët e BE-së duhet të ulen për të folur dhe për të gjetur zgjidhje pas situatës së mbrëmshme.

“Nëse do të isha unë diplomacia e Bashkimit Europian do të flisja me lidershipin e Kosovës për ta gjetur një zgjidhje për këtë. Nuk mund thjesht të themeloni diçka e pastaj ta zhbëni atë dhe mos ta zëvendësoni me diçka tjetër, sepse nëse ekzistojnë këto akuza të cilat janë shumë serioze dhe të cilat duhet të adresohen, nëse jo nga një Gjykatë Speciale atëherë nga një Gjykatë normale penale në Kosovë”, ka shtuar ai.

Albert Rohan ka qenë Zëvendës i të Dërguarit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Procesin e negociatave Kosovë-Serbi që janë zhvilluar në Vjenë, gjatë viteve 2005-2007.

Diplomati austriak ka thënë se është obligim edhe i Shtetit të Kosovës të qartësojë të gjitha pretendimet që janë ngritur për krime lufte dhe të dihen nëse të dyshuarit do të jenë të pafajshëm ose fajtorë.

“Këtu po mungon alternativa, nuk mund thjesht ta shfuqizoni [ligjin] dhe ta lëni më kaq. Sikur të isha udhëheqësit tuaj, nëse Parlamenti dëshiron ta shfuqizojë, atëherë në rregull por çka më pas? Si t’i adresoni këto akuza, të cilat janë shumë serioze? Si dëshironi t’i adresoni sepse ato duhet të qartësohen në çfarëdo mënyre, nëse njerëzit janë ta pafajshëm apo fajtorë, por nuk mund ta lëni të varur këtë çështje”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, pas nismës së deputetëve të pozitës, kanë reaguar edhe ambasadorët e SHBA’së, Britanisë dhe vendeve të BE-së. Njëri prej tyre tha se e premtja ishte dita më e rëndë prej luftës në Kosovë.

Ndërkohë, Albert Rohan, thotë se me Kosova duhet të ketë kujdes ndaj zyrtarëve të BE’së dhe të SHBA’së për shkak se është shtet që nuk është njohur, s’është anëtar i BE-së dhe as në OKB.

“Nuk do të thosha se do të shkatërrohet, por në përgjithësi, Kosova është në pozitë shumë të vështirë për shkak të mungesës së njohjeve universale, mungesa e anëtarësisë në OKB, dhe për shkak të ligësisë së saj ekonomike. Pra, është një vend që varët shume nga ndihma dhe vullneti i mirë i Bashkimit Europian në veçanti dhe të SHBA-së, do të doja që të gjithë të mos bëjnë diçka kundër vullnetit të komunitetit ndërkombëtar nëse kjo është ajon çka përfaqëson ky akt”, ka shtuar ai.

Ai ka këshilluar liderët e Kosovës që sa herë të marrin vendime për Kosovë duhet të mendojnë që mos të lëndojnë procesin integrues në BE.

“Duhet të jenë të vetëdijshëm se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe kjo duhet të merret parasysh nga Kosova kur merr vendime politike”, ka deklaruar Rohan.

Gjykata Speciale ishte themeluar në vitin 2015 me një vendim të Kuvendit të Kosovës, i cili kishte ndryshuar edhe Kushtetutën. Pastaj, ishte miratuar edhe Ligjin për Dhomat e Specializuara. Pothuajse gjithçka është gati për fillimin e punës në Gjykatë derisa janë paralajmëruar edhe hapat e parë të kësaj Gjykate.

Shumëkush, reagimin e deputetëve të PDK-së, AAK-së e Nismës e ka ndërlidhur me idenë se në listën e të akuzuarve mund të jenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj apo Daut Haradinaj.

Në kohën kur ishte votuar Gjykata, NISMA, AAK e Vetëvendosje kishin dalë kundër. Ndërsa, pro kishin votuar deputetët e PDK-së, LDK-së dhe të komuniteteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme