“Roli i Listës Serbe për Qeverinë mund të evitohet”

Prishtinë | 24 Kor 2017 | 09:29 | Nga

Lista Serbe dhe roli i saj në formimin e Qeverisë mund të evitohet.

Profesori i shkencave politike Dashnim Ismajli në një intervistë për “Zërin” thotë se kjo mund të arrihet përmes një koalicioni të gjerë nga partitë shqiptare si lëvizja “Vetëvendosje”, koalicioni LAA dhe deputetët e Nismës.

Ai mendon se çdo kompromis i partive politike për të sakrifikuar pozita vendimmarrëse për Listën Serbe nuk është në interes të vendit dhe është shumë e rrezikshme. Një gjë e tillë, ai thotë se do t’i jepej qasje dhe hapësirë Beogradit për të ushtruar ndikimin dhe kontrollin e tij në institucionet shtetërore.

Zëri: Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve koalicioni PAN ka problem për sigurimin e numrave, rrezikon apo jo që vendi të shkojë në krizë institucionale dhe cilat do të ishin dëmet e një krize të tillë?

Ismajli: Në fakt ka qenë i pritur një zhvillim i tillë, arsyet tashmë i kemi të njohura: koalicionet e krijuara parazgjedhore ishin koalicione jo të natyrshme, partitë politike ndërtuan koalicionet e tyre parazgjedhore në mënyrë të përshpejtuar, duke mos ndjekur një debat të mirëfilltë brenda partisë dhe pa zhvillimin e konsultave transparente në një rrafsh më të gjerë dhe më të detajuar të programatikeve të tyre, konsulta këto që do të kontribuonin në harmonizimin e programatikes së përbashkët të grupeve politike dhe kjo mendoj se është shumë e rëndësishme për të profilizuar vizionin edhe qëllimet e tyre që synojnë të arrijnë në rast të qeverisjes me vendin. Mendoj se kjo papjekuri politike natyrisht se është e dëmshme jo vetëm për partitë politike, mirëpo gjymton institucionet politike në vend dhe njëkohësisht ul besueshmërinë e qytetarit ndaj institucioneve politike. Ky trend zhvillimesh politike në Kosovën e paskonfliktit po tregon qartë se mungesa e një kulture politike dhe demokratizim i mirëfilltë ka sfiduar në vazhdimësi Kosovën, gjë që Kosovën si shtet ndërkombëtarisht e vendos krahas vendeve ku brishtësia e saj është alarmante. Dëmet e krizave të njëpasnjëshme që po kalon Kosova duke treguar mosaftësinë e funksionale te institucionet politike për t’u ballafaquar me sfidat që e preokupojnë vendin janë dëme mjaft të mëdha që sfidojnë zhvillimin e vendit, minimizojnë subjektivitetin e saj, përçojnë sinjale negative ndërkombëtarisht dhe përmes stërzgjatjeve të proceseve bëjnë që Kosova të radhitet si njëri nga vendet më të pazhvilluar në kontinent.

Zëri: A duhet që Kosova të ketë qeveri gjithëpërfshirëse?

Ismajli: Mendoj se një model i këtij lloji të qeverisë edhe pse mund të parashikohet që të jetë stabil, duke u nisur nga përvojat e kaluara nuk garanton efikasitet në funksionin e tyre dhe rrit papërgjegjshmërinë politike në shërbim të institucioneve vendore. Çdo tentativë për të shuar rolin opozitar në sistemet demokratike sfidon institucionet dhe rolin e mekanizmit të kontrollit ndaj Qeverisë. Andaj krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse unë e shoh të dëmshëm për demokratizimin e vendit dhe në favor të aferave korruptive. Ky model i krijimit të qeverisë sa është i dëmshëm, mund të jetë edhe inekzistent për një afat të gjatë kohor, duke marrë këtu shkakun se në Kosovë nuk është ndërtuar një kulturë politike, ku vullneti i përfaqësuesve politikë do të rezultonte përgjegjshmërisht në linjë me interesin e qytetarit, mirëpo më shumë kjo kulturë politike zhvillohet duke u shërbyer interesave të individëve apo klientelës.

Zëri: Një qeveri me 61 vota, sa pretendohet t’i ketë siguruar PAN-i, a mund të jetë e qëndrueshme. Pra, sa do të mundë të përballet me sfidat e ardhshme?

Ismajli: Mendoj se përmes deklarimeve për posedimin e numrave PAN-i po i bën dëme jo vetëm vetes, mirëpo duke e stërzgjatur procesin e krijimit të institucioneve po i shkakton dëme edhe vendit. Një përgjegjësi të madhe këtu ka edhe presidenti. Mendoj se ky duhet të zhvishet nga militantizmi partiak, të lërë anash favorizimet partiake, lojërat me datat apo numrat dhe të tregohet i përgjegjshëm në gjetjen e zgjidhjes për të ndërtuar sa më parë institucionet politike në vend… Unë konsideroj se një model i këtij lloji të qeverisë nuk krijon stabilitet dhe qëndrueshmëri, andaj nëse shkohet përmes kësaj formule të krijimit të Qeverisë, unë shoh zgjedhje të reja në Kosovë.

Mundësia për t’i krijuar institucionet e vendit, që garantojnë stabilitet dhe qëndrueshmëri institucionale, ekziston mirëpo kjo varet edhe nga vullneti politikë i akterëve në fjalë. Mendoj se z. Haradinaj nuk e ka të lehtë bërjen e numrave, përderisa kemi edhe brenda këtij koalicioni zëra kundërshtues të kësaj formule dhe kjo do jetë shkaku kryesor që sfidon dhe stërzgjat këtë proces, mirëpo edhe sikur numrat do të arrihen nëpërmjet pazareve (kontrabandime deputetësh) të fshehta dhe të dëmshme, unë mendoj se ky model i kësaj qeverie nuk do të jetë i qëndrueshëm dhe në sfidat e ardhshme qysh në momentin e parë do të pësojë shpërbërjen e vet Qeverisë.

Nuk mendoj se Kosova ka kohë për të humbur me organizimin e zgjedhjeve të herëpashershme sipas tekave të disa individëve dhe në favor të tyre. Kosova doemos duhet të ketë një qeveri stabile, ku nuk do të krijohej varësia nga minoriteti serb sepse proceset që do vijnë për Kosovën janë mjaft sfiduese dhe aq më sfiduese do të bëheshin kur do të futej në lojë grupi minoritar serb dhe akterë të tjerë politikë.

Zëri: Kosova do të përballet me Gjykatën Speciale së shpejti, e cila tashmë është e gatshme për aktakuza. Si do të ndikojë ky proces në situatën politike në vend, a mund të ketë tensione dhe si duhet menaxhuar?

Ismajli: Natyrisht se aktivizimi i Gjykatës Speciale kërkon t’i gjejë edhe institucionet e qëndrueshme. Kjo po kërkohet me urgjencë edhe nga ndërkombëtarët që Kosova të krijojë sa më shpejt Qeverinë e saj, kërkesa e tyre është që Qeveria e krijuar për mandatin e ardhshëm është të jetë qeveri stabile që garanton mosdesintegrim të vendit, në rast eventualisht arrestimi të akterëve të lartë politikë (të hierarkisë së lartë shtetërore) nga kjo Gjykatë.

Edhe nëse akuzat dhe thirrjet për të dalë para Gjykatës Speciale fillojnë para se të krijohet Qeveria, unë nuk shoh ndonjë eskalim apo tronditje të madhe të situatës brenda vendit. Ajo çfarë mund të ndodhë është shprehja e pakënaqësisë nga qytetarët apo nga veteranët e luftës përmes protestave në suaza të normales, mirëpo siguria dhe stabiliteti në vend do të jenë të qëndrueshme. Është shumë me rëndësi të potencohet se masa tashmë është e përgatitur eventualisht për arrestimet e nivelit të lartë dhe ky proces i gjatë kohor i aktivizimit të Gjykatës Speciale ka shërbyer në të mirë për të përgatitur qytetarin për një reagim ndoshta më të butë, në sajë të rrethanave që do të krijohen pas arrestimeve. Megjithatë, duhet të kihet parasysh se kjo Gjykatë është e krijuar nga institucionet vendore, andaj unë mendoj se edhe në rast të arrestimit të akterëve të lartë politikë dhe rikonstruktimit të skenës politike nuk ka ndonjë arsye të shfrytëzohet për konsum të brendshëm politik.

Të ngjashme