Rozeta Hajdari arsyeton deklaratën për reciprocitetin: S’kam dashur që ta vendosim menjëherë

Prishtinë | 25 Maj 2021 | 18:10 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me deklaratën e sotme se “Reciprociteti kundër Serbisë nuk është zgjidhje e problemeve”, ka thënë se kjo është keqinterpretuar.

Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur se “Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.”

“Në Qeverinë Kurti 1 e patëm vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve. Reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve”, shkroi ajo.

Postimi i plotë i saj:

Deklarata ime në konferencën e sotme rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit është keqinterpretuar. Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë.

Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin.

Në Qeverinë Kurti 1 e patëm vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve. Reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve.

Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave.

Të ngjashme