Rrahim Pacolli i reagon Matoshit: Në emër të AKR-së deklarohet vetëm Behgjet Pacolli

Prishtinë | 23 Nën 2019 | 23:45 | Nga Ekonomia Online

Zyrtari i AKR-së, Fatmir Matoshi, gjatë mbrëmjes së sotme ka deklaruar se AKR preferon të mbetet në opozitë, në rast se së bashku me Nismën futen në Kuvend, ka shkaktuar reagimin e Rrahim Pacollit, njëri nga ish-themeluesit e kësaj partie.

“Si themelues dhe ish sekretar organizativ i këtij subjekti, konsideroj që në këtë fazë në emër të AKR-së mundet të deklarohet vetëm presidenti i AKR-së z. Behgjet Pacolli dhe asnjë anëtar tjetër, kjo për faktin se AKR ka muaj që ka shpallur zgjedhjet e brendshme dhe të gjitha funksionet kanë pushuar, e rrjedhimisht asnjë nga ish drejtuesit nuk është vendimmarrës për të ardhmen politike dhe pozicionimin e AKR-së në të tashmen dhe të ardhmen”, ka shkruar Pacolli.

Postimi i Pacollit në Facebook:

Si themelues i Aleancës Kosova e Re e ish sekretar organizativ i kësaj partie jam duke përcjell me vëmendje procesin e stërzgjatur zgjedhor, njëherësh jam duke përcjellë edhe zhvillimet politike në vend veçanërisht deklarimet e akterëve të partive politike në vend, po ashtu po përcjelli edhe procesin e rinumërimit të një numri të madh të vendvotimeve.
Gjatë periudhës kohore pas zgjedhjeve në vend ka pasur disa qëndrime të partive politike që janë për tu përshëndetur po ashtu ka pasur edhe qëndrime dhe deklarime që kanë pasur për qëllim hutimin e opinionit të gjerë, në kuadër të këtyre deklarimeve ka pasur edhe disa deklarata të disa anëtarëve të AKR-së siç është edhe kjo e sotmja e z.Fatmir Matoshi se AKR nuk do të pranojë të jetë në qeverinë e ardhshme. Si themelues dhe ish sekretar organizativ i këtij subjekti konsideroj që në këtë fazë në emër të AKR-së mundet të deklarohet vetëm presidenti i AKR-së z.Behgjet Pacolli dhe asnjë anëtar tjetër, kjo për faktin se AKR ka muaj që ka shpallur zgjedhjet e brendshme dhe të gjitha funksionet kanë pushuar e rrjedhimisht asnjë nga ish drejtuesit nuk është vendimmarrës për të ardhmen politike dhe pozicionimin e AKR-së në të tashmen dhe të ardhmen.
Qëndrimi i thënë nga z.Matoshi për mospjesëmarrjen e AKR-së në qeveri është totalisht qëndrimi i tij personal dhe nuk bartë vullnetin e strukturave dhe të anëtarësisë së AKR-së.
Personalisht unë dhe numër i madh i strukturave dhe anëtarësisë mendojmë se nëse qeveria e ardhshme do të ketë nevojë për mbështetje të AKR-së, ne do të shohim mundësinë e dhënies së kontributit në të mirë të vendit.
Interesi i vendit ka qenë, është dhe do të mbetet primar për mua dhe AKR-në.
Me respekt! Rrahim Pacolli, themelues dhe ish sekretar organizativ i AKR-së!

Të ngjashme