Rreth 44 mijë aplikacione nga diaspora janë verifikuar, KQZ-ja po e pret Supremen për ta tërhequr shortin

Prishtinë | 27 Jan 2021 | 12:23 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të subjekteve politike që t’i paraqesin ankesat e tyre në Gjykatën Supreme pas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kështu ka bërë të zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi në një intervistë për Ekonomia Online. Ai ka thënë se pas ankesave të subjekteve politike, KQZ-ja do të presë edhe vendimmarrjen e Gjykatës Supreme dhe pastaj të procedojë më tej.

“Siç e dini gjatë ditës së djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, me të cilat vendime jepet të drejtë vendimmarrjes së KQZ-së gjatë mbledhjes së kaluar me 22 janar”.

“Ne jemi në pritje nëse subjektet politike do të paraqesin ankesat e tyre në Gjykatën Supreme sepse në këshilla juridike të vendimeve të PZAP-it pra palët njoftohen se mund të apelojnë vendimin e PZAP-it në Gjykatën Supreme, dhe sigurisht që KQZ-ja do të presë vendimmarrjen edhe të Gjykatës Supreme për të proceduar më tej”.

Pasi të dalin edhe vendimet e Gjykatës Supreme, KQZ-ja do të vazhdojë pjesën tjetër të planit operacional, ku edhe do të bëhet edhe tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike.

“Pasi të kemi vendimet nga ana e Gjykatës Supreme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me pjesën tjetër të planit operacional dhe në këtë drejtim pra është edhe tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike, aktivitet i cili është paraparë sipas planit opercional të zhvillohet me datë 1 shkurt, dhe përmes këtij aktiviteti të gjitha subjektet politike garues në zgjedhje do të kenë numrin e tyre me të cilin do të renditen në fletëvotim dhe kjo pastaj hap rrugë edhe aktiviteteve të tjera siç është edhe fillimi i fushatës zgjedhore të subjekteve politike që sipas këtij plani është paraparë nga data 3 shkurt deri më 12 shkurt”.

Po ashtu Elezi ka treguar se shërbimi votues është duke vazhduar punën intensive me regjistrimin dhe verifikimin e aplikacioneve të pranuara.

Ai ka thënë se janë aprovuar rreth 44 mijë, raporton EO.

“Aktualisht shërbimi i votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është duke vazhduar me verifikimin dhe shqyrtimin e aplikacioneve të cilat pra kanë ardhur nga qytetarët jashtë vendit të cilët duan të regjistrohen si votues jashtë Kosovës. Sipas të dhënave të cilat i kemi deri në përmbylljen e ditës së djeshme me datë 26 janar në sistem janë futur diku rreth 120 mijë aplikacione dhe prej tyre janë verifikuar rreth 44 mijë”.

“Nga shërbimi votues po ashtu jemi informuar se janë ende pa u hapur edhe 41 mijë e-maila pra të cilat i kemi pranuar gjatë periudhës së aplikimit. Vetëm pas përfundimit të kësaj periudhe të shqyrtimit dhe verifikimit ne do të kemi një raport përmes së cilit do të dimë saktë se sa është numri i aplikuesve jashtë vendit dhe se sa prej tyre kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës”.

Të ngjashme